Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e ka nisur ditën e diel me një reagim në rrjetin e saj social, ku ka treguar një mbresë nga vizita në shkollën “At Zef Pllumi” në Shëngjin, ku zhvillojnë mësim nxënësit afganë.
“Pak ditë më parë, teksa vizitova shkollën “At Zef Pllumi” në Shëngjin, e pyeta vajzën e vogël afgane se ku i pëlqen më shumë të jetojë. Ajo m’u përgjigj duke buzëqeshur: “Afghanistan, Albania, America” dhe m’u hodh menjëherë në krahë për një përqafim. U ndjeva shumë krenare për mikpritjen që Gulnaaz 9-vjeçare dhe shokët saj kanë gjetur në Shqipërinë tonë të dashur, dhe jam e bindur që një ditë, kur të rritet, ajo do të rikthehet të vizitojë me mall vendin që i ofroi strehë dhe kaq shumë ngrohtësi në momentet më të vështira të atdheut të saj”, shkruan Kushi në reagimin e saj.