Bogdan Kaliniçenko nuk ka ardhur rastësisht te Flamurtari. Nëse një vit më parë pushoi me familjen në Vlorë, një muaj më parë u rikthye për t’iu larguar luftës që ka shpërthyer në Ukrainë. Edhe pse është me mamanë dhe të vëllain, nuk ndihet aspak i qetë. Mendja i rri te babai dhe gjyshi të cilët gjenden në Kiev, ndaj lutet që kjo situatë të mbarojë një orë e më parë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për gazetarin Ermal Sika të “Panorama Sport”, 16-vjeçari falënderon klubin vlonjat që i hapi dyert dhe nuk e mohon dëshirën që ka për të firmosur një kontratë në vazhdim.
Bogdan, kur dhe si keni ardhur në Shqipëri? Në Shqipëri kam mbërritur në datën 8 mars. Kemi mbërritur me makinë, në rrugë tokësore. Kemi udhëtuar nga Bullgaria dhe më pas mbërritëm në Shqipëri. Dimë që keni ardhur me mamanë tuaj… Po, e vërtetë. Bashkë me ne është edhe vëllai im i vogël.
Kë keni lënë në Ukrainë? Në Ukrainë ka qëndruar babai bashkë me gjyshin. Momentalisht në Kiev është shumë qetësi. Megjithatë, planet e luftës asnjëherë nuk dihen. Tashmë të gjithë i dinë synimet që ka Putini ndaj Ukrainës.
Jeni i shqetësuar për shëndetin e tyre? Patjetër që jam i shqetësuar. Komunikojmë shpesh. Falë Zotit, deri më tani janë mirë. Mezi po pres t’i takoj dhe kjo luftë e mallkuar të mbarojë. Kishim një jetë shumë të mirë dhe të bukur deri para shpërthimit të luftës Ishim të gjithë bashkë.
Si po ndiheni te Flamurtari? Ndihem shumë mirë dhe i falënderoj të gjithë për mikpritjen. Po më mbajnë shumë afër dhe më kanë hapur edhe dyert e zemrës së tyre. Nuk kam fjalë që t’i falënderoj. U jam shumë mirënjohës. Po më qëndrojnë pranë që unë të jem i lumtur dhe të heq mendjen nga lufta.
Do të donit të qëndronit te Flamurtari? Jam 16 vjeç dhe nëse më ofrohet ndonjë kontratë nga Flamurtari, do ta firmosja. Megjithatë, pas luftës mbetet për t’u menduar, pasi nuk jam i qetë që të marr një vendim të tillë. Ukraina është shtëpia ime…
Pse zgjodhët pikërisht Vlorën, a keni qenë më parë? Kam qenë vitin e shkuar me pushime në qytetin e Vlorës. Më ka pëlqyer shumë, ndaj edhe jemi kthyer me familjen. Jemi ndier shumë mirë. Më pëlqen jashtëzakonisht Vlora, është një qytet shumë i bukur dhe prandaj kemi ardhur këtu, pasi ndihemi shumë mirë.