Këshilli Evropian në vitin 2020 dha dritën jeshile për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë dhe kjo çështje duhet të shkojë në rrugën e duhur, deklaroi nga Sofja kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin bullgar Kiril Petkov.
Presidentja Von der Leyen i kërkoi Bullgarisë që “të ndihmojë për realizimin e këtij vendimi’’. Ajo theksoi se ‘’të drejtat e pakicave janë në bazën dhe vlerat e marrëveshjeve evropiane. Ato janë në fokus të vëmendjes sonë’’. “Është me rëndësi që BE-ja ta realizojë premtimin e saj në këto kohëra të vështira ndaj fqinjëve të vet. Kohërat janë shumë të stuhishme dhe ato do ta caktojnë të ardhmen e Evropës’’, shtoi ajo.
Kryetarja e KE-së tha se asgjë nuk do të jetë e njëjtë siç ka qenë para luftës në Ukrainë. Në fund ajo përsëriti se duhet të realizohet premtimi ndaj partnerëve nga viti 2020 dhe se ka besim se Bullgaria do të ndihmojë në këtë proces.