Grupi i mercenarëve Wagner, të mbështetur nga Kremlini, janë fotografuar për herë të parë në Ukrainë. Imazhet tregojnë një ushtar pjesë të grupit të mercenarëve duke qëndruar përpara hotelit Park Inn në Donetsk. Ushtari mban një AK-15, një pushkë sulmi të përdorur nga forcat speciale ruse, dhe në uniformë ka simbolin e Wagner. Fotografia u publikua nga Semyon Pegov, një korrespodent i luftës pro-Kremlinit.
Në grupin Wagner besohet të ketë edhe një njësi serbe, e cila ishte, të paktën deri në prill 2016, nën komandën e Davor Saviçiç, një serb boshnjak i cili ishte anëtar i Gardës Vullnetare Serbe, të njohur edhe si Tigrat e Arkanit, gjatë Luftës në Bosnje dhe Njësia e Operacioneve Speciale (JSO) gjatë Luftës së Kosovës.
Në javët para pushtimit rus të Ukrainës, mendohet se mercenarët e Grupit Wagner kryen sulme në Ukrainën lindore për t’i dhënë Rusisë një pretekst për të sulmuar, me anë të taktikës së quajtur “flamur i rremë”, një veprim i kryer me qëllim të maskimit të burimit të vërtetë përgjegjës dhe fajësimit të një pale tjetër..
Në vitin 2021 Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Grupit Wagner, për shkelje të të drejtave të njeriut në vendet ku operon. OKB-ja e ka akuzuar Wagnerin për kryerjen e krimeve të luftës në Libi. Në vitin 2020, ushtria e Shteteve të Bashkuara akuzoi mercenarët Wagner se kishin vendosur mina tokësore dhe pajisje të tjera shpërthyese të improvizuara rreth kryeqytetit libian, Tripoli.