Sali Berisha ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes të Partisë Demokratike në negociata me Partinë Socialiste në zgjedhjen e Presidentit të ri. Përçarja brenda kampit opozitar favorizon edhe më shumë maxhorancën që të çojë në krye të Presidencës një person nga radhët e saj. Pas 20 vjetësh socialistët kanë mundësinë për të zgjedhur një president nga radhët e tyre. Procedura e cila nis në mesin e këtij muaji duket se favorizon edhe më shumë maxhorancën, jo vetëm që ka votat për të miratuar e vetme presidentin, por edhe përçarja brenda kampit opozitar, gjë që politikisht i jep pikë PS-së të shkojë drejt miratimit të një kandidature pa pasur nevojë të negociojë.
“Ne nuk propozojmë asnjë kandidat. Ne nuk miratojmë asnjë kandidat. Të ulesh me Ramën është sikur të puthesh me Judën”, tha Berisha.
Pikërisht kjo deklaratë e Sali Berishës përjashtoi menjëherë Partinë Demokratike nga negocimi i mundshëm me socialistët për të shkuar drejt një kandidati konsensual për president. Por kjo qasje e tij u rrëzua poshtë nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, post të cilin e ka de jure, por jo defacto, pasi pjesën dërrmuese të deputetëve në sallë i kontrollon grupimi i Berishës.
Në Facebook Alibeaj shkroi se: “Qëndrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrëfarë lidhje me qëndrimin dhe vendimmarrjen e grupit parlamentar. Ata që flasin sot për këtë çështje, në fakt, me ndryshimet kushtetuese të 2008, ia kanë mundësuar Edi Ramës ta zgjedhë, thjesht me vetëm votat e tij presidentin e vendit”.
Ndonëse janë pjesë e të njëjtës parti, demokratët duket se e kanë të vështirë të komunikojnë sy më sy dhe mesazhet njëri tjetrit ia dërgojnë nëpërmjet Facebook. Qëndrimi i Alibeajt u konsiderua si i papranueshëm nga ana e Komisionit të Rithemelimit i cili shpërndau në media postimi ne Luçiano Boçit ku nënvizonte se “Rama mund ta zgjedhë eta uzurpojë me votat e tij institucionin e fundit të pa rënë në duart e tij, por ai s’mund të ketë mbështetjen e opozitës as dhe t’i shmanget kundërshtisë politike në opinion nga opozita, nëpërmjet gjoja “agjendave parlamentare”.
Me përjashtimin e PD-së nga negociatat, janë edhe gjashtë parti të tjera parlamentare. PBDNJ e Vangjel Dule, PR e Fatmir Mediut, LZHK e Dashamir Shehit, Partia Agrare e Agron Dukës dhe LSI-ja e Monika Kryemadhit, forca politike të cilat PS-ja i ka ndërprerë marrëdhëniet kohë më parë.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 risillen në qendër të opinionit publik sa herë nis një procedurë për të zgjedhur një President. Para këtij viti, presidenti detyrimisht duhej zgjedhur me minimalisht 84 vota pasi në të kundërt vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme, gjë që bënte të domosdoshme dialogun ose merkaton e deputetëve. Tashmë me këto ndryshime, vetëm në tre raundet e para kërkohet dakordësia, dhe në dy të tjera është miratimi me shumicë të thjeshtë, pra 71 vota duke bërë jo të domosdoshëm dialogun politik./a2cnn/