100-vjetori i themelimit të Institutit “Harry Fultz” ka bërë bashkë mjaft personalitete të njohura të vendit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se shkolla duhet të jetë një institucion që krijon hapësira të reja mendimi. Duke shprehur ngushëllimet për jetët e humbura pas sulmit në një shkollë në Teksas, Veliaj theksoi se arsimi është ai që na emancipon si shoqëri.
“Një lajm jashtëzakonisht i trishtë është lajmi i sulmit në një shkollë në Teksas. Unë s’kam pasur ende një mundësi publike për të shprehur ngushëllimet dhe për të treguar solidaritet, po ka qenë një moment edhe reflektimi. Pse dikush që është racist, ose dikush që është homofob, ose një devijant i shoqërisë, sulmon pikërisht shkollat? Sepse arsimi është ai që na emancipon. Arsimi na bën të kuptojmë se në fakt ngjyra jonë e lëkurës, mbiemri ynë, prejardhja jonë, nuk duhet të jenë barriera për sukses. Ndaj, teksa ky është një moment ngushëllimi edhe trishtimi, është edhe një moment reflektimi. Pse shkollat duhet t’i ruajmë realisht me fanatizëm, si hapësira që na bëjnë më të mirë, që na hapin mendjet”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se përtej dijeve dhe medaljeve, në themel qëndron humanizmi. “Unë besoj se mbi dëftesat, mbi kupat, mbi çmimet, mbi medaljet, është humanizmi. Është ajo që në gjuhën tonë të përditshme themi ‘’njerëzillëku” dhe qartazi shkolla juaj i kishte të gjitha aftësitë teknike, dijet e kohës, por mbi të gjitha, kishte humanizmin”, deklaroi Veliaj.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim u shpreh se lidhja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë janë sot më të forta se kurrë. “Ardhja e Harry Fultzit dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, hodhën themelet për një lidhje unike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. Një lidhje që vazhdoi, pavarësisht diktaturës komuniste, dhe që u përtëri në vitin 1991, një lidhje që sot është më e fortë se kurrë. Kjo shkollë nuk kishte të bënte vetëm me mësimdhënien e aftësive teknike dhe profesionale, kishte të bënte me rrënjosjen e vlerave tek të rinjtë shqiptarë, të tilla si ndjenja e patriotizmit, disiplina dhe respekti për punën. Të gjitha këto vlera të cilat do t’u nevojiteshin studentëve për të ndërtuar një vend të ri. Ky është një vend madhështor dhe SHBA-të janë krenarë që janë miku juaj”, tha ambasadorja Kim.