40 raste të reja me COVID janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë, ku për fat të mirë, nuk ka asnjë humbje jete, duke vijuar me bilancin pozitiv infektimeve. Në total, janë 251 raste aktive me COVID, ku Tirana vijon që të ketë numrin më të lartë të të infektuarve. Në një kohë kur këto shifra shihen nga qytetarët si “zhdukje totale e COVID”, ekspertët vënë theksin që të vijohet procesi i vaksinimit pasi ekziston mundësia e përkeqësimit të situatës gjatë periudhës së vjeshtës.

“Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet. Çdo qytetar mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore. MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar me dy doza, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqëndruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese. Qytetarët mbi 60 vjeç dhe ata me imunitet të dobët, që kanë kaluar 4-6 muaj nga kryerja e dozës së tretë, mund të marrin dozën e katërt të vaksinës anti-Covid, sipas rekomandimit të mjekut të familjes”, njofton Ministria e Shëndetësisë.