Xhevdet Troplini është një emër jo pak i njohur në Durrës, të cilit i është sekuestruar nga OFL makina e blinduar tip ‘Jeep’. Troplini, i arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike në 2006, ka në pronësi të tij disa biznese, mes tyre edhe lokalin në parkingun e të cilit u rrëmbye Gazmir Çollaku. Ai është përfshirë dhe i dyshuar në disa ngjarje kriminale në Durrës, por që në asnjë moment nuk është provuar fajësia e tij. Ky person del gjithashtu edhe në listën e biznesmenëve të gjobitur në Durrës nga një eksponent shumë i njohur kriminal në Shqipëri si Emiljano Shullazi.
Troplini është fotografuar më herët në tavolinë me presidentin Ilir Meta, foto e sjellë nga Shqiptarja.com, teksa lidhja e tyre ka qenë edhe më e hershme. Firma “Ovital” me aksioner Xhevdet Troplinin, dhe administratore vajzën e tij Antolena Troplini, ka përfituar një fond prej 21 mln lekësh nga AZHBR, në kohën që Ministria e Bujqësisë drejtohej nga ministri i LSI-së, Edmond Panariti. Në inaugurimin ishte i pranishëm edhe Ilir Meta, në cilësinë e Kreut të Kuvendit, i cili vlerësonte investimin e kryer duke e konsideruar mundësi për rritjet ekonomike të vendit dhe duke e marrë si shembull suksesi për sipërmarrësit e tjerë.
Por cila është lidhja me Arben Mërkurin. Ky i fundit, pak para se të ekzekutohej u bë pjesë e një skandali ku i theu kamerën një gazetareje investigative. Kjo sepse firma Ovital e Xhevdet Troplinit, po groposte pulat e prekura nga gripi i shpendëve afër qendrave të banuara dhe shisnin vezët dhe pse kjo ishte e ndaluar.