Në vazhdën e luftës në Ukrainë, shqetësim paraqet fqinji i saj, Moldavia. Ky vend i vogël në Evropën Lindore, me një popullsi prej 2.6 milionë banorësh, po vuan tashmë pasojat e luftës, me më shumë se 400,000 refugjatë në tokën e tij.

Por, Qeveria në kryeqytetin Kishinjev është e shqetësuar se konflikti mund të arrijë në kufijtë e saj. Dhe, në qendër të këtyre shqetësimeve është rajoni separatist pro-rus i Transnistrisë.

“Është një situatë komplekse dhe e tensionuar. Ne jemi vigjilentë. Do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin, për të forcuar sigurinë e shtetit dhe për të mbrojtur qytetarët tanë”, ka thënë presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Komentet kanë pasuar ato të gjeneralit rus, Rustam Minnekayev, se forcat ruse synojnë të marrin kontrollin e plotë të pjesës jugore të Ukrainës, gjë që do t’i siguronte pastaj Moskës lidhje direkte me Transnistrinë. Pas këtij paralajmërimi, Transnistrinë e kanë goditur një seri sulmesh me granata, përfshirë një në Ministrinë e Sigurimit të Shtetit në qytetin Tiraspol. Viktima nuk ka pasur, ndërsa Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet.

Transnistria është problematike tash e mbi 30 vjet. Kur Moldavia ka shpallur pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, më 1991, Transnistria ka shpallur pavarësinë e saj njëanshëm, me mbështetjen e Rusisë. Lufta që ka nisur pastaj midis Qeverisë moldave dhe separatistëve pro-rusë, ka përfunduar me armëpushim midis Moldavisë dhe Rusisë, në vitin 1992. Çështja, megjithatë, nuk është zgjidhur.

Moldavia vazhdon ta konsiderojë Transnistrinë si territor të vetin, ndërsa Transnistria dëshiron të njihet si shtet. Atë nuk e njeh asnjë shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara. Njerëzit që jetojnë atje, janë kryesisht rusishtfolës, ndërsa Qeveria drejtohet nga separatistët pro-rusë. Transnistria nuk ka kufi me Rusinë, por Rusia ka atje rreth 1,500 trupa që i quan paqeruajtës. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se përmes tyre, Rusia do që ta destabilizojë Moldavinë.

“Sa u përket trupave ruse, që janë të stacionuara në territoret e pushtuara të Moldavisë, veçanërisht në Transnistri, e dimë se janë në gjendje të gatishmërisë së vazhdueshme luftarake dhe në pritje të urdhrit”, ka thënë Zelensky.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrey Rudenko, ka thënë se Rusia “dëshiron të shmangë skenarin” në të cilin Transnistria do të tërhiqej në luftë. Por, njohësit e këtij rajoni thonë se gjasat që kjo të ndodhë, janë të dukshme, edhe pse jo në një të ardhme të shpejtë, për shkak të humbjeve të ushtrisë ruse në Ukrainë.

Stefan Wolff, profesor i sigurisë ndërkombëtare në Universitetin Biringham të Mbretërisë së Bashkuar, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Mendoj se, për momentin, është vështirë të shihet se si Rusia do të ketë kapacitete ushtarake për të ndërtuar korridor tokësor deri në Moldavi apo Transnistri. Ajo është bllokuar në Donbas dhe nuk ka bërë përparimin që ka imagjinuar. Po ashtu, mos të harrojmë se kapacitetet ruse në Detin e Zi janë shkatërruar mjaft”.

“Për ta bërë të realizueshëm këtë korridorin tokësor deri në Moldavi, Rusisë do t’i duhen kapacitete të konsiderueshme detare, që për momentin mendoj se nuk i ka. Por, kjo nuk do të thotë se Rusia nuk do t’i përdorë asetet që ka në Transnistri për ta destabilizuar më tej situatën”, thotë Wolff.

Rusia ka pranuar se ka pësuar humbje në Ukrainë, por nuk ka dhënë shifra të sakta. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka humbur mbi 20,000 ushtarë në pak më shumë se dy muaj luftë, por kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Rusia, po ashtu, nuk ka arritur të marrë kontrollin e Kievit dhe as të rrëzojë Qeverinë atje. Ofensivën tani e ka përqendruar në juglindje të Ukrainës.

Philip Remler, ish-udhëheqës i misionit në Moldavi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, thotë për Exposenë se kërcënimi aktual ndaj Moldavisë nuk është i lartë, por nëse Rusia ka sukses në juglindje të Ukrainës, oreksi i saj mund të rritet.

“Unë mendoj se ka forca të caktuara që përpiqen ta tërheqin Transnistrinë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Nga ajo që ka thënë edhe gjenerali Minnekayev, rusët e shohin Transnistrinë si një aset të mundshëm në konfliktin aktual”, thotë Remler.

Në skenarin ku lufta në Ukrainë do t’i kalonte kufijtë dhe do të dilte në Moldavi, cili do të ishte kapaciteti i këtij vendi – ushtarakisht neutral – për t’u mbrojtur? Përgjigjet profesori i sigurisë ndërkombëtare, Steffan Wolff:

“Moldavia është jashtëzakonisht e cenueshme. Ajo nuk i ka as për së afërmi kapacitetet ushtarake që i ka Ukraina. Ka një forcë shumë, shumë më të vogël – nëse mund të quhet forcë. Nga shifrat që kam parë, i ka ndoshta 3,000 trupa, por jo të gjitha prej tyre janë në gjendje të gatishmërisë luftarake”.

“Mendoj se Moldavia e ka shumë vështirë të mbrohet nëse trupat ruse arrijnë atje. Pra, nëse arrijnë të kenë një korridor të qëndrueshëm në Moldavi, do të jetë vërtet vështirë të ruhet sovraniteti dhe integriteti i saj territorial”, thotë Wolff.

E gjendur midis Rumanisë dhe Ukrainës, Moldavia është një nga vendet më të varfra në Evropë. Ajo ka pranuar mbi 437,000 refugjatë ukrainas, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, më 24 shkurt. Moldavia nuk është as anëtare e NATO-s, as e Bashkimit Evropian.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, është fuqishëm pro BE-së dhe mbështet Kievin në luftën kundër pushtimit rus, por paraardhësi i saj, Igor Dodon, i cili ka ende shumë mbështetës, ka qenë pro-rus.

Profesori Wolff thotë se komuniteti ndërkombëtar ka mënyra indirekte për ta mbrojtur Moldavinë.

“Strategji kryesore duhet të jetë mposhtja e Rusisë në Ukrainë. Në këtë kuptim, Perëndimi duhet t’i dyfishojë përpjekjet e tij për t’i dhënë Ukrainës gjithçka që i nevojitet, sa i përket mbështetjes ushtarake”.

“Aftësitë ushtarake të Rusisë janë zvogëluar në atë nivel, saqë çdo mbështetje shtesë që i jepet Ukrainës arrin ta zmbrapsë Rusinë. Unë shpresoj se kjo do ta mbajë [Rusinë] brenda Ukrainës dhe nuk do të kemi skenarin, ku Rusia arrin kufijtë e Moldavisë”, thotë Wolff.

Por, Thomas Graham, ekspert për Rusinë në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, nuk është i bindur kështu. Duke folur për Exposenë, ai thotë se, sa më keq që gjërat të bëhen për Rusinë, aq më shumë do të rritet rreziku për përhapjen e konfliktit.

“Kjo [luftë] do të vazhdojë për disa muaj. Duhet të përgatitemi për një konflikt më të gjatë. Duhet ta pranojmë se, derisa konflikti vazhdon, rreziku i përshkallëzimit rritet. Në këtë pikë, ky konflikt është i kufizuar në Ukrainë. Por, nuk ka asnjë garanci se kështu do të jetë edhe pas gjashtë muajsh, apo pas një viti. Kjo është diçka për të cilën udhëheqësit perëndimorë duhet të përgatiten”, thotë Graham.

Sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss – vendi i së cilës është një nga furnizuesit më të mëdhenj të Ukrainës me armë – ka thënë se Perëndimi duhet të dërgojë armë edhe në vendet tjera që kërcënohen nga Rusia dhe ka përmendur në mënyrë specifike Moldavinë.

“Është koha për guxim, jo për kujdes. Ne duhet të sigurojmë që, krahas Ukrainës, edhe Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia kanë qëndrueshmëri dhe aftësi për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre”, ka thënë Truss.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, ka thënë gjatë një vizite në Kishinjev më 4 maj se Bashkimi Evropian është duke konsideruar mbështetje shtesë ushtarake për Moldavinë, ashtu si edhe mbështetje logjistike dhe mbrojtje kundër sulmeve kibernetike.

Nëse Rusia kalon kufijtë e Ukrainës, parashikimi se ku do të ndalet është i vështirë. Pushtimi që ka nisur ajo më 24 shkurt, ka lëkundur rendin e pas Luftës së Ftohtë dhe ka dëshmuar qartë se presidenti rus, Vladmir Putin, i sheh kufijtë e Evropës si një mundësi për t’i rivizatuar, qoftë edhe me forcë. Perëndimi refuzon ndërhyrjen direkte midis Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se nga një veprim i tillë rrezikon të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore. /REL