Dita e Fitores së këtij viti, 9 maji, do të jetë për Moskën më e ngarkuara në aspektin politik ndër dekada. Ajo do të përkujtohet në mesin e konfliktit të drejtpërdrejtë më të rëndësishëm të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndërsa mijëra trupa po përgatiten të marshojnë në Sheshin e Kuq përpara presidentit Vladimir Putin, shokët e tyre janë të përfshirë në luftime të ashpra dhe tepër të kushtueshme rreth 1000 km larg në rajonin e Donbasit të Ukrainës, ku suksesi apo dështimi i ofensivës së fundit të Rusisë, mund të vendosë edhe rezultatin e kësaj lufte të përgjakshme.
Luftimet dhe dështimi i Rusisë për të mposhtur me shpejtësi kundërshtarët e tij numerikisht inferiorë, do të ndikojë padyshim në paradën e këtij viti, e cila feston fitoren e Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Putini mund të përfitojë nga rasti për të shpallur zyrtarisht një luftë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës. Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, është ndër ata që kanë sugjeruar se Putin mund ta përdorë këtë ngjarje duke shpallur mobilizimin e përgjithshëm dhe një luftë në shkallë të plotë.
Ky hap do të shtojë radhët e ushtrisë ruse, por rrezikon që ta fundosë ekonominë e saj, si dhe të nxisë një kundërshtimin të fortë ndaj konfliktit. Po ashtu mobilizimi i përgjithshëm rrezikon zgjerimin e mëtejshëm të konfliktit me vendet e NATO-s dhe BE-së, që po vazhdojnë me dërgesat e tyre të paprecedenta të armëve drejt Ukrainës, dhe me sanksionet ndaj zyrtarëve rusë dhe aleatëve të tyre oligarkë, në industri dhe banka.
Oleg Ignatov, analisti rus që punon në “Grupin e Krizave mbi Rusinë”, thotë për “Newsweek” se një shpallje e plotë e luftës do t’i jepte Putini pak përfitime. “Do të ishte një ndryshim i madh në politikën e Rusisë. Por kjo nuk do të jepte efekte të menjëhershme, pasi duhet shumë kohë për të trajnuar ushtarët, për të gjetur municione për ta, e kështu me radhë. Së dyti, kjo do ta godasë akoma më shumë ekonominë ruse, pasi largon prej saj njerëzit që mund të punojnë”- shprehet ai.
Ignatov shton se shpallja e gjendjes së luftës, mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e konsiderojnë këtë luftë. “Është ndryshe kur qëndron ulur në shtëpinë tënde, sheh televizor dhe e mbështet luftën nga kolltuku. Dhe tërësisht ndryshe të marrësh një armë dhe të shkosh në front për të luftuar. Kjo mund ta dëmtojë mbështetjen që gëzon Putin midis rusëve”-vlerëson analisti.
Lufta po vazhdon prej 72 ditësh. Forcat ruse janë treguar të paafta për të arritur shumicën e objektivave të tyre strategjike. Pushtuesit kanë pësuar humbje të mëdha. Ukrainasit pretendojnë se janë vrarë thuajse 25.000 rusë, ndërsa vlerësimet e SHBA-së janë pak më
të ulëta se kaq.
Moska duhet të mbyllë boshllëqet e mëdha në trupa. Dhe tashmë ajo ka nisur ta bëjë këtë edhe pa pasur një mobilizim kombëtar, që do të ishte politikisht i rrezikshëm dhe ekonomikisht i kushtueshëm. “Rusia po kryen tashmë një lloj mobilizimi të fshehtë”- thotë Ignatov, duke vënë në dukje se Kremlini ka rritur pagesën mujore për ata që dëshirojnë të nënshkruajnë kontratën dhe të dërgohen në front.
“Kam të dhëna se ata gjetën shumë njerëz të gatshëm të nënshkruajnë kontrata të tilla. Sigurisht që kanë ende probleme, pasi u duhet kohë për të trajnuar rekrutët. Ndaj kjo lëvizje nuk do të ketë një efekt të menjëhershëm. Por nuk mendoj se ky problem është kaq akut. “Nëse ke tashmë një mobilizim të fshehtë, me shumë ushtarë apo njerëz të gatshëm për luftë, pse duhet të shpallësh një mobilizim zyrtar?”- thekson eksperti.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi “të pakuptimta” zërat për një shpallje të gjendjes së luftës. Edhe Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, ka thënë se festimet e 9 Majit nuk do të kenë ndikim në planet e luftës së Rusisë. “Të gjitha zërat për një mobilizim zyrtar vijnë nga burime perëndimore ose ukrainase. Unë jam duke pyetur njerëz të ndryshëm në Rusi për atë që mund të ndodhë, por ata thonë se nuk presin asgjë…Ne në Rusi s’kemi prova se ata po përgatiten për diçka më të madhe”- thotë Ignatov.
Putin mund të shfrytëzojë rastin për të shpallur një lloj fitoreje ndaj atyre që ai i quan neonazistë. Por ai nuk mund ta fshehë dështimin e dukshëm për të arritur qëllimet e tij strategjike: pushtimin e Kievit dhe rrëzimin e qeverisë së presidentit Volodymyr Zelensky.
Iuliia Mendel, ish-zëdhënësja për shtyp e Zelensky, që mban lidhje të ngushta me zyrtarët aktualë, thotë për “Newsweek” se shumë njerëz në Ukrainë presin që 9 Maji të jetë më i rëndësishëm për fushatën e dezinformimit të Moskës sesa për ofensivën e saj ushtarake.
“Putini do të shpallë me siguri fitoren, edhe nëse ushtria ruse do të humbasë plotësisht. Ushtria e tij e dytë – ajo propagandistike – do të lavdërojë politikat e Kremlinit për të mbajtur ne nivele të larta popullaritetin e Putinit. Televizioni do të detyrohet të justifikojë të gjitha humbjet para popullit rus”- thotë ajo.
Mendel shton se Rusia mund të shpallë aneksimin e rajonit jugor Kherson, krijimin e disa republikave të rreme, fitoren mbi nazizmin apo një luftë të re”. Edhe Ignatov thotë se rezultati më i mundshëm është një fushatë e re propagandistike. “Ata do të përsërisin se po luftojnë kundër nazistëve, se pushtuan Mariupolin, Khersonin, se do të çlirojnë ukrainasit nga regjimi i tyre nazist etj, për të promovuar mesazhet që kanë përhapur tashmë, pasi nuk kanë ndonjë arritje të madhe ushtarake në terren”- shprehet eksperti rus.
Por një gjë është e sigurt: 9 Maji nuk do të shënojë fundin e luftimeve. Shpresa fillestare e Rusisë për një fitore të rrufeshme, të mbështetur nga ukrainasit dashamirës është shuar. NATO dhe BE po përdorin të gjithë peshën e tyre ekonomike dhe ushtarake për të ndihmuar Kievin, duke ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e ushtrisë së motivuar të Ukrainës.
Si ekonomia e Ukrainës po ashtu edhe ajo ruse po rrënohen. E para nga bllokada ruse në Detin e Zi, dhe e dyta nga sanksionet perëndimore. Forcat ruse në Ukrainën e pushtuar duken të përgatitura për një qëndrim të gjatë atje. Por njësitë lokale të rezistencës duken po aq të përgatitura për një luftë të gjatë guerile.
Negociatat e paqes kanë ngecur, për shkak të intrigave dhe mosbesimit të ndërsjelltë. Ukrainasit ishin që në fillim skeptikë ndaj delegacionit rus. Por zbulimi i një sërë varresh masive me civilë ukrainas të vrarë, që janë cilësuar si krime të luftës së Rusisë, i kanë acaruar edhe më shumë marrëdhëniet. Të dyja palët shpresojnë për një fitore në Donbas, në mënyrë që të përmirësojnë pozicionet e tyre negociuese.
Një burim i afërt me Zelensky, i tha “Newsweek” në kushte anonimiteti se luftimet do të vazhdojnë, dhe synimet e Ukrainë në këtë luftë do të mbeten të pandryshuara, pavarësisht nëse Putin bën një njoftim të rëndësishëm apo jo. Zyrtarët ukrainas po flasin hapur për fitore, ndoshta edhe për të rimarrë Krimenë dhe territorin e Donbasit të pushtuar nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj në vitin 2014.
Para pushtimit të fundit, një pritshmëri e tillë ishte e paimagjinueshme. Por me forcën e kombinuar të NATO-s dhe BE-së në krahun e tyre, disa ukrainas mendojnë se tani është momenti i tyre. “Fitorja e Ukrainës do të thotë rivendosje e plotë e integritetit territorial dhe sovranitetit.
Sondazhe të ndryshme, tregojnë se 93 për qind e popullsisë beson se Ukraina po e fiton luftën. Asnjë lëshim, asnjë kompromis. Fitorja ushtarake e Ukrainës përfshin kthimin e Donbasit dhe Krimesë”- thotë Hanna Hopko, ish-anëtare e parlamentit ukrainas, Radas, dhe kryetare e komitetit të saj për marrëdhëniet me jashtë./ Përktheu: abcnews.al