“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikë të jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë këtë deklaratë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova, duke bërë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit.
Ndërtesa e Këshillit të Evropës, Strasburg, Francë.
LEXONI EDHE KËTË:
Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.
Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.
Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t’i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Moratoriumi ka pasur synim të rrisë hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, çka ne besojmë se përbën interes strategjik për të dyja shtetet”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit në një përgjigje për Zërin e Amerikës.
“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, është kyç për të dyja shtetet, në mënyrë që t’i hapin rrugë të ardhmes evropiane. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje urgjente, fleksibile dhe serioze në këtë proces”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.
Ndërtesa e Këshillit të Evropës. Strasburg, Francë.
Çfarë është Këshilli i Evropës?
Pasi zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj, presidenti Vuçiq u ka thënë gazetarëve në Beograd se Prishtina “ka shkelur brutalisht” Marrëveshjen e Uashingtonit.
“Pas gati dhjetë vjetëve të shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ata kanë shkelur edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, derisa rezoluta 1244 nuk është respektuar kurrë nga udhëheqësit e tyre”, ka thënë Vuçiq.
Për shkak të vendimit të Kosovës, presidenti serb do të mbajë një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të premten, 13 maj.
Marrëveshja e Uashingtonit, e arritur më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, është nënshkruar në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump/REL.