Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në intervistë ekskluzive për DW, thekson, se mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin negativ, jo vetëm nga Rusia, është anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.
DW: Z.Kryeministër, agresioni rus ndaj Ukrainës ka alarmuar mbarë botën. Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga ky agresion dhe nga kjo luftë?
Dritan Abazoviç: Kjo është një katastrofë shumë e madhe botërore dhe Mali i Zi ka mbajtur një qëndrim të qartë në këtë situatë: ne mbështesim 100% standardet demokratike dhe promovimin e vlerave universale, në veçanti promovimin e të drejtave të njeriut. Ne jemi thellësisht të zhgënjyer nga Rusia në këtë situatë dhe i japim të gjithë mbështetjen sovranitetit të Ukrainës dhe qytetarëve të saj. Ne do të japim të gjithë kontributin tonë, njësoj siç po e bëjnë të gjitha shtetet evropiane. Politika jonë e jashtme është 100% në përputhshmëri me politikën e jashtme evropiane. Ne i kemi vendosur sanksione Rusisë dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë njësoj si vendet e tjera evropiane, deri në fund, kur shpresojmë për një paqe. Pozicioni ynë është që të ketë mundësi për dialog dhe gjithçka të përfundojë në mënyrë paqësore, sepse lufta dhe veçanërisht kjo lloj lufte në shekullin e 21-të, është vërtet e papranueshme.