Korporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH) njoftoi pak muaj më parë se kishte arritur të siguronte nëpërmjet një gare ndërkombëtare një kontratë dyvjeçare për marrjen me qira të dy anijeve që do të prodhojnë energji për të plotësuar nevojat në vend.
Por përpara se këto asete termike të lëvizshme të vihen në funksion në Portin e Triportit në Vlorë duket se do të jenë të nevojshme disa ndërhyrje për të bërë gati infrastrukturën. Në lojë në këtë kontekst hyn edhe nënstacioni elektrik që ndodhet në Termocentralin e Vlorës edhe ky aset në varësinë e KESH.
Korporata ka përgatitur së fundmi dokumentin e njohur si përmbledhje joteknike, e cila ndalet në mënyrën sesi do të operohet me këto asete dhe integrimin e tyre në rrjetin energjetik shqiptar.
“Në mënyrë që impianti i gjeneruesit termik lundrues, të plotësojnë nevojat e KESH dhe të lidhet lehtësisht me rrjetin e transmetimit të energjisë duke përdorur infrastrukturën ndërlidhëse që KESH ka në zotërim, dhe përparësive infrastrukturore, vendndodhja e impiantit gjenerues termik do të pozicionohet brenda basenit ujor të portit të peshkimit të Triport-it.
Kjo do të mundësojë vendndodhjen e afërt të vendit të propozuar me nënstacionin elektrik të TEC-it ekzistues dhe më tej me linjën ekzistuese të transmetimit të energjisë në Nënstacionin e Babicës 220/110 kV (2transformatorë 100 MVA secili), me vendndodhje në pjesën lindore të Vlorës.
Kjo do të kërkojë një infrastrukturë minimale shtesë për vendosjen e aseteve lundruese termike dhe lidhjen me TEC e Vlorës për transmetimin e energjisë elektrike të prodhuar ashtu dhe afërsinë me infrastrukturën portuale për furnizimin me lëndën djegëse si dhe sigurimin e ujit të mjaftueshëm për procesin teknologjik të ftohjes” thuhet në dokument.
Në dokument sqaron se në pjesën e brendshme të portit (pjesën juglindore të tij) do të kryhet vendosja e dy anijeve ku janë instaluar gjeneruesit termik të energjisë (quajtur Tigër 1 dhe Tigër 3) me kapacitet gjithsej prej 110 dhe do të prodhojë energji elektrike në kapacitet prej 110,000 kWe; 137 500 kVA, dhe faktori fuqie 0.8.
Ato janë të regjistruara në Panama. Prodhimi total pritet të jetë jo më pak se 100 MW. Modulet do të lidhen me rrjetin ekzistues nëpërmjet një linjë transmetimi të shkurtër ajrore dhe nëntokësorë të tensionit të lartë 220-kV (LTTL) për në nënstacionit e TEC-it Vlorë dhe më tej me linjën ekzistuese elektrike të transmetimit që lidhet me Nënstacionin e Babicës.
KESH sqaron se modulet e gjeneruesve termik janë të pajisura me një total prej 19 motorësh Wartsila. Ato do të djegin për karburant 180 cts HFO, një karburant i distiluar i quajtur mazut/solar (HFO) për prodhimin e energjisë dhe gasoil (LFO) për bolierët me bazë vaji për të prodhuar avull. Lënda djegëse do te shkarkohet në portin e afërt të hidrokarbureve quajtur Petrolifera Italo-Albanese sh.a.
“Me anë të boteve do të transportohet lënda djegëse në një distancë prej rreth 2.5 km dhe do të futet në zonën e parkimit 1 e cila do ndërtohet në funksion të projektit. Më pas këto bote do kalojnë në peshoren elektrike dhe në fund do futen në zonën e Parkimit 2 siç tregohet në foton më poshtë.
Pas Parkimit 2 do kalojnë në zonën e rrethuar të sigurisë ku dhe do shkarkohen në tubacionet që do të ndërtohen për lidhjen e sigurte për transportimin e lëndës djegëse tek anijet e gjeneruesve termikë.. Brenda anijeve të gjeneruesve termikë janë të instaluara depozita për mbajtën e lëndës djegëse.
Në to do të kryhet procesi i djegies dhe më pas procesi i ftohjes nëpërmjet sistemit të marrjes së ujit të detit dhe shkarkimit përsëri në det. Mbetjet e hidrokarbureve dhe të procesit të djegies do të grumbullohen në anijet dhe do të rikthehen me anë të një tubacioni të mbyllur dhe te izoluar për tu transportuar me autobote për në vendet e trajtimit final të tyre në subjekte të licencuar” thuhet në dokument./Monitor