Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se bajpasi i Vlorës pritet të hapet në javën e parë të korrikut dhe të jetë gati për sezonin turistik.

Gjatë inspektimit në bajpasin e Vlorës, ku po punohet 24 orë pa ndërprerje për përfundimin e plotë të kësaj vepre, Balluku tha se “po vizitojmë sot bajpasin e Vlorës, në një pjesë që nuk e kemi vizituar më herët, duke qenë se ka qenë gjithmonë jashtë vëmendjes dhe syve të qytetarëve që kanë aksesuar këtë rrugë nga periudha e qershorit deri në 1 tetor duke përdorur me kalimin brenda Kaninës, ndërkohë që ne punojmë në zonën poshtë Kaninës për të krijuar atë që duhet bajpasi i vogël i Kaninës brenda bajpasit të Vlorës”.

Drejtori i ARRSH-së, Ervis Berberi tha se “këtu jemi në kilometrin 19900 është zona që fillon pa u ngjitur në Kaninë dhe kemi bërë gërmime të mëdha masive, mbrojtje e shpatave, trajtimin e të gjitha ujërave. Kemi bërë një mbrojtje shumë të mirë të skarpatave, është një lartësi mbi 20 metra dhe mbi të kemi përdorur drenazhime të mëdha sepse kemi problematika me ujin”.

“Përveç gërmimeve dhe përforcimit të skarpatave kemi filluar edhe me shtresat e rrugës dhe shumë shpejt do të fillojmë asfaltimin e kësaj zone që të ecim paralelisht me disa procese”, tha Berberi.

Ministrja Balluku tha se “gjeologjia në bajpasin e Vlorës ka qenë shumë e vështirë duke qenë se kemi hasur herë pas here me guca me thellësi jo të vogël dhe na është dashur të përdoret beton dhe materiale të tjera më shumë se çfarë ishte parashikuar”.

“Ne kemi premtuar që këtë duke qenë se janë zgjidhur të gjitha problematikat, bajpasi do të jetë përfundimisht dhe zyrtarisht i hapur, ne kemi ndjekur të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur edhe me bajpasin e Fierit, një vit e kemi hapur vetëm me një korsi për përdorim gjatë sezonit veror dhe më pas e kemi mbyllur për ta dorëzuar vitin pasardhës të përfunduar. E njëjta praktikë po ndiqet edhe me bajpasin e Vlorës”, nënvizoi Balluku.

Balluku theksoi se “duket sikur duhet më shumë kohë, por duhen mobilizuar të gjitha kantieret. Duket si mision i pamundur për tu dorëzuar në fund të qershorit apo në javën e parë të korrikut kur zyrtarisht fillon sezoni veror, por megjithatë nuk kemi më as mundësi as të shtyjmë kohën, as afatet duhet punuar sipas kontratës, kështu që presim që si sot dy muaj të kemi mundësi të aksesojmë këtë rrugë zyrtarisht dhe të përfunduar”.

Përfundimi i plotë i kësaj vepre të rëndësishme lehtëson trafikun, nxjerr në pah pamjen e qytetit të Vlorës dhe shkurton kohën e udhëtimit për në jug të Shqipërisë.