Bluza e famshme ushtarake e Volodimir Zelenskit është shitur mbi 100 mijë dollarë në një ankand për mbledhjen e fondeve për Ukrainën në Londër, raporton ‘The Telegraph’.
Kryeministri britanik Boris Johnson inkurajoi që oferta për veshjeb simbolike të shkonte shumë më të lartë se çmimi i saj fillestar prej 50 mijë paund.
Çmimi final arriti në 90 mijë paund, ose rreth 111 mijë dollarë, duke mbledhur fonde jetike për ndihmën humanitare për Ukrainën, e cila u pushtua nga Rusia në shkurt.
Zelensky mbajti një fjalim në një lidhje video përpara ofertës në mbledhjen e fondeve ‘Brave Ukraine’, gjatë së cilës ai lavdëroi Mbretërinë e Bashkuar dhe ‘Borisin e guximshëm’, i cili e ka vizituar atë në Kiev.
“Përkrahni Ukrainën sonte miqtë e mi, në mënyrë që kryeqyteti i madh i lashtë evropian, Kievi të mos kërcënohet më kurrë, dhe që Ukraina të jetë e plotë dhe e lirë përsëri”, tha nga ana e tij kryeministri Johnson.