Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, ka folur për BT Sport pas barazimit 1-1 të marrë kundër Tottenham-it të Antonio Conte-s. Trajneri gjerman i ka thurur elozhe kolegut të tij italian, por nuk i ka kursyer edhe një kritikë.

ANALIZA – “Jam me të vërtetë i kënaqur nga paraqitja dhe krenar për mentalitetin e treguar nga lojtarët kundër një kundërshtari shumë të fortë”, ka thënë Klopp.

“Natyrisht, nuk është rezultati që donim, por paraqitja ka qenë ajo që doja, kështu që nga kjo pikëpamje gjërat kanë shkuar mirë. Kemi një pikë më shumë në krahasim me një ndeshje më parë kështu që është mirë”.

ELOZHE – “Është shumë e vështirë të luash kundër një kundërshtari me lojtarë të nivelit të lartë dhe një trajner të nivelit botëror (Conte). Mbi të gjitha nëse mendojmë se ata kanë patur një javë për t’u përgatitur dhe ne luajmë çdo tri ditë”.

KRITIKA – Më pas, në konferencë për shtyp, Klopp ka bërë disa deklarata thumbuese për stilin e Conte-s: “Nuk më pëlqen stili i tyre i futbollit. Mendoj se janë një skuadër e madhe dhe duhet të guxojnë më shumë.

“Kundër nesh kanë patur 36% të zotërimit të topit. Është një problem i imi dhe nuk do të mund të luaja kurrë në atë mënyrë”, ka thënë gjermani.