Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë këtë të premte në takimin e thirrur nga kryeministri Rama në ligje me digjitalizimin e shërbimeve të sektorit bankar. Në fjalën e tij Sejko ftoi të gjitha bankat e nivelit të dytë që t’i bashkohen shërbimit të pagesave përmes platformës e-Albania, në mënyrë që të shkurtohet ndjeshëm pritja e qytetarëve nëpër sportele.
Sejko evidentoi gjithashtu dhe progresin e bërë në lidhje me rritjen e shërbimit të pagesave online, ku nga 4.3 pagesa për individë në vitin 2017, tashmë kjo shifër ka shkuar në 12.
“Edhe në modernizimin e sistemnit të pagesave është bërë progres. Numri i pagesave elektronike është rritur nga viti 2017, nga 4.3 për individë, në 12 pagesa për individë në vitin 2022. Është miratuar një ligj, për shërbimet e pagesave dhe aktet nënligjore janë mbyllur në janar. Ligji ka për qëllim përshpejtimin e pagesave digjitale për t’i ardhur në ndihmë qytetarit. Ka progres, por progresi duhet të jetë i koordinuar dhe me ju. Ka ardhur koha që mos të kemi vetëm masa ligjore, por të kemi dhe produkt. Grupi i punës duhet koordinuar dhe me e-Albania në mënyrë që t’i vijmë në ndihmë dhe të krijojmë lehtësira për qytetarët.
Ne kemi dhe projekte të tjera siç është implementimi i një “sëitch-i” për pagesat kombëtare. Të gjitha bankat ofrojnë shërbimin e-banking dhe ne me një koordimin mund të jemi dhe me platformën e qeverisë, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Kjo është në interes të përbashkët, nuk është një barrë për ju”, tha Sejko.