Turneu i trofeut të Kupës së Botës, organizuar nga FIFA dhe Coca-Cola, ka mbërritur paraditen e së dielës në Shqipëri dhe do të ekspozohet në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), deri në orën 21:00 të mbrëmjes.

I pranishëm në këtë event ishte edhe Kryeministri, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse falënderoi organizatorët e Coca-Colës dhe FIFA-s për këtë realizimin e këtij turneu.

“Këto janë ditë shumë të veçanta për doganën shqiptare, sepse për herë të parë u ndeshën me procedurën e zhdoganimit të një kupe dhe jo të një po të dy kupave njëherazi, edhe të kupës së botës dhe asaj të konfederatës, e cila do të jepet në stadiumin tonë, të mërkurën. Por këto janë nga ato halle që do dëshironim që t’i kishim edhe më të shumta në të ardhmen. Edhe pse orët e qëndrimit të kupës në Tiranë janë vetëm 5 orë, uroj dhe shpresoj që sa më shumë futbolldashës ta vizitojnë kupën.

Uroj që gjithë miqtë që kanë ardhur ta kalojnë mirë në Tiranë ne jemi gati t’i mbajmë këtu. Për momentin jemi duke u marr me kupat e të tjerëve po mbase vjen dita që ta marrim edhe ne. “ tha Rama

Kjo ndalesë e veçantë, e gjen Shqipërinë në kushtet e mikpritjes të finales së UEFA Conference League mes Romës dhe Feyenoord, më 25 maj, çka shënon organizimin e parë të një finaleje europiane në historinë e kombit shqiptar.