Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi i ftuar në një intervistë televizive deklaroi se opozita e kishte mundësinë të jepte emrin e duhur sa i takon procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës.

Klosi tha se përçarja brenda PD erdhi sepse shumë individë panë interesat e tyre dhe Berisha sipas tij u nxitua duke e bërë partinë fakt të kryer ndërsa Apeli ende nuk ka marrë vendim të formës së prerë.

“PD ka shumë probleme, tashmë është radha e PS për të zgjedhur presidentin. Uroj që të ketë konsensus deri në fund, duhet një kandidaturë e mirë që ta vërë Ramën në vështirësi.
Çdo gjë do një garë, opozita e kishte mundësinë të zgjidhte emrin e duhur.

Kam dhe unë një emër si gjithë të tjerët, s’dua të gaboj rëndë dhe ta lëmë se edhe 3 ditë është. Nuk e njoh aq mirë PD aq sa të jap mend për të, di çfarë ka ndodhur jashtë por jo si kanë rrjedhur ujërat brenda. Gjykata nuk e ka thënë ende fjalën e saj, Berisha u ngut, pa pritur Apelin e bëri fakt të kryer aktivitetin e tij politik. E bëri fakt të kryer që partia është ajo, ndërkohë Apeli se ka thënë fjalën e vet.

Berisha duhet t’i mblidhte, t’i bashkonte demokratët. Nuk erdhi përçarja nga një forcë e mbinatyrshme por nga interesa individuale të secilit”-tha Klosi.