Tirana po kthehet në epiqendrën e eventeve të mëdha. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se viti kur Tirana është edhe Kryeqyteti Europian i Rinisë po dëshmon se i kemi kapacitetet pritëse dhe organizative për evente të përmasave edhe të Champions League. Ai shtoi se vetëm javët e fundit në Tiranë janë organizuar një sërë aktivitetesh që kanë pritur qindra të ftuar, e ndërkaq Tirana do të presë së shpejti edhe koncertet e Rita Orës dhe Dua Lipës.
“Finalja e Conference League është testi i radhës. Në këtë faze, Tirana është bërë epiqendra e aktiviteteve më të mëdha, koncerteve më të mëdha dhe eventeve më të mëdha të Ballkanit. Nëse do kishte një qytet që do ishte gati për të tilla ngjarje, është padyshim Tirana,” u shpreh Veliaj, i pyetur në Klan News mbi mundësinë edhe të organizimit të Champions League në Tiranë, siç u shpreh kryeministri Rama një ditë më parë.
Veliaj bëri apel për të mos i bërë reklamë negative Shqipërisë, sa i takon menaxhimit të strukturave hoteliere, pasi çmimet – tha ai – nuk i vendos pronari, por algoritmi i platformave online, si në çdo vend tjetër të botës.
“Çdo aktivitet i sjell Tiranës të ardhura. Për të gjithë kritikat ndaj hoteleve të Tiranës unë do të thoja: së pari, të frenohemi pak kur flasim keq për vendin tonë. Më mirë që këto para vijnë në Shqipëri dhe duhet të kuptojmë se të gjitha hotelet, që janë nëpër platforma si Booking apo Expedia, është algoritmi që e cakton çmimin. Pra, hoteli, që kur e ka dorëzuar veten te një platformë teknologjike, ia ka dorëzuar edhe vendosjen e çmimeve sipas kërkesë-ofertës sistemit të algoritmit. Është shumë e rëndësishme të flasim mirë për vendin tonë dhe mos të na kaplojë histeria. Për sa kohë që nuk na shajnë të tjerët dhe ata janë gati t’i paguajnë këto çmime, ne shqiptarët duhet të gëzohemi që këto para vijnë në Shqipëri. Sidomos, kur kuptojmë logjikën që po ishe pjesë e sistemit global do pranosh ato rregulla të kërkesë ofertës që vlen dhe për avionët vlen dhe për hotelet”, tha Veliaj.