Në datën 25 Maj, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë do të luhet ndeshja finale e Conference League. Lidhur me organizimin e finales, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, sqaroi se nuk ka asnjë spekulim me çmimet e hoteleve në kryeqytet, përndryshe nga ç’është përfolur nga disa portale mediatike ditët e fundit. Veliaj u ka kërkuar mediave të mos i bëjnë reklamë të shëmtuar Shqipërisë, pasi siç shpjegoi ai, çmimet e hoteleve mund të rriten në raste organizimesh të përmasave të tilla si një finale europiane dhe se ndryshimi i çmimeve bëhet nga vetë algoritmi i sistemeve online të specializuara për rezervime.
“Dëgjova një të fundit kur thanë se “të gjithë ata që merren me hotele në Shqipëri janë spekulantë, shiko sa kanë vajtur çmimet për ndeshjen”. Por, e dini çfarë? Çmimet për një ndeshje të tillë do të shkonin po kaq kudo ku ajo të luhej. Pra, të njëjtët njerëz që para pak ditësh përhapnin panik se finalja do të luhej në një shtet tjetër dhe i gëzoheshin këtij “dështimi” të Shqipërisë, sot vajtojnë për çmimet në hotelet tona. Por, çmimet nuk i rrisin hotelet sepse në momentin kur ti futesh në aplikacione si Booking, Expedia apo Edreams, çmimi ndryshon në bazë të një algoritmi. Vërtet biletat e avionit fillojnë me 19 euro nëse e rezervoni të parët, por shkojnë 100 euro e deri në 300 euro nëse e lini për në orën e fundit”, sqaroi Veliaj.
Ai tha se për sa kohë të gjitha hotelet e Tiranës janë gjithashtu në Booking dhe Expedia, i nënshtrohen algoritmit të këtyre aplikacioneve. “Për rezervimin e dhomave të fundit çmimi rritet. Ndaj, ju lutem të gjithë atyre që kanë portale, memexhinjve, të gjithë atyre që vënë gjoba, që i shërbejnë një klienti politik, apo të biznesit, mos e shani Shqipërinë, mos i shani zanatet, mos i shani çunat dhe gocat që punojnë në turizëm, mos i shani ata që punojnë me sakrificë. Jemi pjesë e një ekonomie globale, punohet me një algoritëm të kompanive ndërkombëtare, të cilat gjithashtu prodhojnë këto lloj çmimesh kur kanë mbetur dhomat e fundit,” u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë tha se jo vetëm bizneset, por edhe shumë qytetarë janë bërë pjesë e sistemit global për shërbime hotelerie, duke liruar edhe hapësirat e shtëpive të tyre. “Ajo që shoh që po ndodh në Tiranë është që shumë vetë kanë future shtëpitë e tyre në një tjetër rrjet global të AirB&B. Pra, edhe ata që ndoshta nuk janë profesionistë të turizmit, po i adaptojnë hapësirat e tyre për të ofruar në shërbime të kësaj natyre dhe për të prodhuar më shumë ekonomi për vendin,” tha Veliaj.