Policia e Shtetit po ndërmerr masa në kuadër të mbarëvajtjes së situatës për finalen e Conference League. Ndeshja Roma-Face Feyenoord do mbahet më 25 maj në stadiumin “Air Albania”.

Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj në një deklaratë për mediat tha se janë marrë të gjitha masat për ndeshjen dhe pë aktivitetet qe do zhvillohen.

Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë në përfundim të planifikimit të masave të sigurisë për zhvillimin e finales së UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës/Itali dhe Feyenoordit/Holandë, e cila do të zhvillohet në Tiranë, në datën 25 maj 2022, në orën 21:00, në “Air Albania Stadium.”

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit është në fazën përfundimtare të planifikimit të masave për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje sportive ndërkombëtare si kompeticioni më i ri sportiv evropian për klube. Në vlerësim të detyrimeve ligjore që ajo ka, por edhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, mbështetur në legjislacionin tonë, si dhe në kushtet dhe infrastrukturën që ofron “Air Albania Stadium”, për sa i përket sigurisë, Policia ka marrë masat për këtë ndeshje, por edhe për të gjithë aktivitetet që do të zhvillohen në vendin tonë, duke filluar nga Pikat e Kalimit Kufitar, në rrugëkalimet e ekipeve, të sportdashësve të tyre apo edhe për garantimin e rendit publik për qytetarët e tjerë në Tiranë, të cilët nuk kanë lidhje me këtë aktivitet sportiv.

Paraprakisht, nga muaji shkurt janë zhvilluar disa trajnime të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me përfaqësues të UEFA-s, me Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Brendshme dhe me aktorë të tjerë që kanë detyrime për të ofruar një qasje të integruar të sigurisë dhe të shërbimeve në ambientin sportiv ku do të zhvillohet kjo ndeshje futbolli, janë zhvilluar disa takime, është studiuar historiku i tifozërisë së dy skuadrave finaliste dhe është kërkuar rritja e nivelit profesional të drejtuesve të Policisë, për menaxhimin e shërbimeve, për strategjinë e taktikat e sjelljes ndaj tifozëve dhe mënyrën e ndërveprimit me ta.

Në vlerësim të masave të sigurisë për përgatitjen e kësaj finaleje, si dhe në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga direktivat e Këshillit të Evropës, për shkëmbimin e drejtpërdrejtë dhe të shpejtë të informacionit ndërmjet strukturave të Policisë me ato homologe të vendeve të tjera, me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në muajin prill 2022, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u ngrit pika kombëtare për shkëmbim informacioni për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit (NFIP), e cila nga dita e parë e krijimit të saj është në komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit me NFIP jo vetëm të Italisë dhe të Holandës, por edhe të vendeve të tjera fqinje dhe ato evropiane, për të marrë modelet më të mira të praktikës së policimit të ndeshjeve të futbollit me një dimensioni ndërkombëtar.

Nga informacionet e deritanishme rezulton se do të ketë një pjesëmarrje të konsiderueshme sportdashësish që do të mbështetin skuadrat e tyre të futbollit për këtë finale, nga Italia dhe Holanda, të cilët do të vizitojnë Tiranën apo edhe qytete të tjera të vendit tonë.

Këta sportdashës do të udhëtojnë drejt aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, por edhe në aeroportet e Podgoricës dhe të Prishtinës, me avionë linjash të rregullta dhe me charter nga aeroportet nisëse, një pjesë do të udhëtojnë me traget nga Bari drejt portit të Durrësit dhe më tej udhëtimi i tyre do të bëhet me automjete transporti drejt Tiranës, në rrugë tokësore. Një pjesë e këtyre tifozëve kanë prenotuar hotele në Durrës dhe pritet të qëndrojnë atje nga data 24 deri në datën 25 maj 2022, për t’u zhvendosur me autobusë, nga Durrësi në Tiranë.

Masa të veçanta janë parashikuar nga Policia e Shtetit, për të qenë prezent për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillojë Bashkia e Tiranës, për pritjen e sportdashësve të dy ekipeve në dy “Fan Zonat”, tek shëtitorja “Murat Toptani”, për sportdashësit e ekipit të Feyenoord dhe në zonën e Amfiteatrit në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, për sportdashësit e ekipit të Romës, por edhe në aktivitetin festiv që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”.

Lëvizja e sportdashëve të ekipit të futbollit të Feyenoord drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek pedonalja “Toptani”, përgjatë bulevardit “Deshmorët e Kombit”, në rrugën “Gjergj Filipi”, ndërsa ajo e sportdashësve të ekipit të futbollit të Romës drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek Amfiteatri në kodrat e Liqenit Artificial, sheshi “Chopin”, rruga “Lek Dukagjini”.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve gjatë datave 24 dhe 25 maj 2022, në qytetin e Tiranës, Policia e Shtetit apelon dhe kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, me qëllim që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete gjatë këtyre dy ditëve.

Nisur nga fakti se sportdashësit e dy ekipeve, për të hyrë në stadium, do të ndjekin itinerarin e përcaktuar më sipër, me qëllim shmangien e konfuzionit në pikat e kontrollit të organizuar nga Policia e Shtetit, si dhe në hyrjet e stadiumit, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që kanë një biletë për këtë ndeshje, të lëvizin në rrugën “Papa Gjon Pali II” dhe në rrugën “Dervish Hima”, për t’u drejtuar në stadium. Ndërsa qytetarët e tjerë që nuk kanë biletë për në stadium, të mos frekuentojnë këtë zonë.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e komunitetit të qytetit të Tiranës dhe të drejtuesve të automjeteve, që të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportive, duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë.

“Në përfundim, falënderoj mediat për mbështetjen dhe siguroj qytetarët për gatishmërinë e plotë të strukturave të Policisë së Shtetit, për të zbatuar me përpikëri të gjitha masat e planifikuara, me qëllim sigurimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje, si dhe për një bashkëpunim efektiv me të gjithë aktorët e tjerë në ambientin sportiv ku do të zhvillohet kjo finale futbolli”, deklaroi Dervishaj.

FINALJA
Finalja e parë e Ligës së Konferencës së Evropës do të përballet me Romën italiane kundër Feyenoord të Holandës, dy skuadrat me golat më të mirë në kompeticion që zotërojnë Tammy Abraham dhe Cyriel Dessers, dy golashënuesit më të mirë individualë.