Ekonomia e Shqipërisë po përballet me presionet që vijnë si pasojë e luftës në Ukrainë, përmes rritjes së menjëhershme të çmimeve dhe shtrëngimit të mëtejshëm të kushteve financiare globale, thuhet në raportin e FMN-së, pas përmbylljes së vizitës së ekipit të dërguar në Tiranë.
Yan Sun, që kryesonte ekipin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, vuri në dukje se rritja e theksuar e ҫmimit të energjisë dhe ushqimeve si edhe rritja e kostove të financimit të jashtëm për shkak të luftës në Ukrainë, përfaqësojnë goditjen e tretë për ekonominë e Shqipërisë në vitet e fundit.
FMN parashikon një rritje ekonomike prej 3 për qindësh në vitin 2020, e mbështetur nga turizmi dhe ndërtimi, por e zbehur nga ndikimi i çmimeve në rritje.
Po ashtu, pritet që inflacioni të mbetet në nivele të larta gjatë muajve në vijim, nxitur nga çmimet e importit, përpara se të kthehet sërish brenda objektivit në fillim të vitit 2024, duke pasqyruar ndikimin e shtrëngimit të politikës monetare.
Sun vlerëson reagimin e shpejtë të autoriteteve ndaj goditjes së fundit dhe disa prej masave mbështetëse të marra janë të mirëorientuara dhe të kufizuara në kohë.
“Autoritetet kanë marrë një vendim të drejtë që kanë shmangur uljet e përkohshme të taksave, të cilat i sjellin përfitime në mënyrë të zhdrejtë atyre që janë më mirë ekonomikisht, mund të shtrembërojnë sinjalet e çmimeve, janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u zhbërë. Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirëorientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve”.
FMN udhëzon të jepet më shumë mbështetje e drejtuar për shtresat në nevojë dhe për ata që janë më të ekspozuar për t’i mbrojtur nga inflacioni.
“Kjo duhet mundësuar brenda nivelit të shpenzimeve ekzistuese të buxhetit për vitin 2022 përmes rishpërndarjes. Kursimi i të ardhurave të mundshme të mbledhura mbi planin, si dhe një konsolidim i besueshëm nga kahu i të ardhurave në periudhën afatmesme, janë thelbësore për rikrijimin e hapësirave të nevojshme për politikën fiskale”.
Politika monetare duhet të shtrëngohet më shumë dhe në kohë, për të frenuar trysnitë inflacioniste dhe për të orientuar sërish pritshmëritë për inflacionin brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, thuhet më tej në raport.