Është marrë vendimi për Qëndrim Januzin, vëllain e reperit Buta, i cili dyshohet se qëlloi për vdekje 30-vjeçarin Gazmend Hyseni pak pas mesnatës së të premtes.
Gjykata Themelore e Ferizajt i ka caktuar 30 ditë paraburgim sipas ‘Gazetës Expresss. Media kosovare ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari. Në një bisedë telefonike për Gazetën Express, kryeprokurori Jashari tha se Januzi po e mban paraburgimin në spital ku edhe është duke u trajtuar.
“Ju ka caktuar masa e paraburgimit 30 ditë, për momentin është në spital, masën e mban në spital dhe ruhet nga policia, në momentin kur shërohet plotësisht transferohet në Qendrën e Paraburgimit”, tha Jashari.
Nga ana tjetër, avokati Kastriot Zenuni ka thënë se klienti i tij cili është i dyshuar për vrasjen e Gazmend Hysenit nuk është në gjendje shëndetësore shumë të mirë. Në një bisedë për ‘Gazetën Express’, Zenuni tha se seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). “Sipas mjekut ka qenë në gjendje të përgjigjet vetëm me po ose jo. Nuk e kanë marrë në pyetje edhe gjatë. Seanca u mbajt brenda objektit të QKUK-së”, tha avokati.