Grekët po përballen me një krizë të re ekonomike, në një kohë që cmimet vijojnë të rriten dhe shumë qytetarë përpiqen të kursejnë kryesisht tek produktet ushqimore. Ata kërkojnë më shumë ndihmë nga qeveria ndërsa shpresat i kanë tek sezoni veror dhe turistët që pritet të vijnë.
Në Greqi inflacioni është në pikën më të lartë që nga viti 1995. Cmimet vijojnë të rriten paralelisht me shqetësimet e pensionistëve dhe të punësuarve. Cmimet e gazit natyror janë rritur me 122.6% nga prilli i 2021-shit, cmimi i energjisë elektrike është rritur me 88.8%, cmimet e përgjithshme të qerave me 35.2% dhe ato të ushqimeve dhe pijeve me 10.9%.
Cmimi i qerasë së një garsionere arrin deri në 400 euro ndërkohë që qytetarët janë të zemëruar dhe kërkojnë më shumë ndihmë nga qeveria.
Pjesa më e madhe e pagës shkon për ushqime sipas sondazheve të zhvilluara në vend por dhe pensionet nuk janë të mjaftueshme për të mbijetuar. Janë të shumtë pensionistët të cilët janë borxh me furnizuesit e energjisë elektrike.
Kursimi duket se është kthyer në fjalën kryesore të ditës për miliona grekë të cilët po përballen me një krizë të re të rëndë ekonomike. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Moskës kanë bllokuar rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Sipas sondazhit më të fundit të Institutit për Konsumin, grekët presin uljet dhe ofertat për të kursyer. 70% e tyre zgjedh në bazë të cmimeve, duke blerë gjëra që kushtojnë më pak. Që nga fillimi i vitit ka pasur një rritje të madhe të në shitjen e produkteve që nuk janë markë. Që nga ushqimet e deri tek ilacet.
Ndërkohë ata që e vuajnë më shumë janë tregtarët e vegjël. Njerëzit e kanë të vështirë të paguajnë qeranë, gazin, dhe blejnë shumë pak mallra. Janë të shumtë ata që kursejnë dhe në produktet ushqimore.
Ndërkohë vendi shpreson të mund të rimëkëmbet me sezonin veror dhe me mbërritjen e turistëve pas dy vitesh kufizime për shkak të pandemisë së Covid – 19./Scan