Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke thënë se do të jetë i ndryshëm nga Presidenti aktual, Ilir Meta.
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla nuk pranoi të zbulojë asnjë emër, por tha se në ditët në vijim PS do të japë informacion, ndërsa theksoi se nuk përjashtohet asnjëra gjini, por e rëndësishme, sipas tij, është që Presidenti i ri të jetë me integritet.
“E thashë në mbledhje, po e ripërsëris, kemi ndjekur një proces tepër korrekt në marrëdhënie me atë që thotë Kushtetuta. Në tre raundet e para nevojitet që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, kemi rënë dakord që në raundin e dytë e të tretë të ketë propozim vetëm nga opozita. Ju jeni dëshmitarë që nuk kemi marrë asnjë propozim, tani na takon neve që, siç e kam thënë PS ka organet e veta vendimmarrëse. Natyrshëm që vendimi i PS do të bëhet publik dhe duhet që vendimi i Kryesisë së PS t’i jepet edhe grupit parlamentar, pasi nga ty deputetët do të mbështesin me firma kandidatin për President. Një parti me rregulla bën këtë që po bëjmë ne.
Unë dhe dy kolegët e tjerë që jemi ngarkuar me këtë proces do të kemi një informim të PS. Nuk duhen përjashtuar asnjëra prej gjinive, e rëndësishme është të kemi një president që të mishërojë më së miri vlerat e larta të integritetit, i ndryshëm nga Ilir Meta.
Dëshira jonë ishte që ta zgjidhnim bashkë me opozitën. I shpreha keqardhjen sot Alibeajt për mospjesëmarrjen në seancën e tretë, që ju ishte dedikuar atyre. Mendoj se nuk i bën nder PD, drejtuar nga Alibeaj, që të kthehet në format e vjetra të bojkotit. Mendoj se bojkoti i ka dhënë disa leksione çdo partie, edhe pse nga bojkoti është dëmtuar PD. Leksionet duhen bërë mësime, duhet të vësh mend”, tha Balla.
I pyetur nëse do të jetë socialist, Balla u përgjigj shkurtër që “Do të jetë President i të gjithë shqiptarëve”.