Ditën e sotme në orën 10:00 nisi seanca plenare në Kuvend, ku do të diskutohet projektligji për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peisazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Për Butrintin ka pasur shpesh herë debate në parlament dhe komisione mes opozitës dhe mazhorancës. Ndër të tjera do të diskutohet raporti vjetor i veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive; raporti vjetor i Institutit të Statistikave.
Seanca plenare nisi me shqyrtimin e mocionit për debat të kërkuar nga opozita për kryeministrin Edi Rama, pas intervistës së tij në Bruksel ku tha mbeten në pritje të presidencës franceze dhe theksoi se situata e ngërçit nuk do të qëndrojë gjatë pasi do të ndryshojnë kurs. Konferenca e Kryetarëve e refuzoi sepse nuk plotësonte formatin e kërkuar, ndërsa në Kuvend foli Petrit Vasili si përfaqësues i opozitës dhe Taulant Balla si përfaqësues i mazhorancës.
Në fjalën e tij, Vasili e cilësoi fjalën e Ramës si provokative dhe strategji për të penguar procesin e integrimit dhe i bëri kërkesë mazhorancës që të mos kenë frikë për debat. Ndërsa Balla tha se Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe kriteret që të mbahet konferenca e parë për integrimin në BE. Pasi u hodh në votim, kërkesa për mocion me debat me Ramën nuk u miratua.