Kryeministri Edi Rama duke folur sot nga Vlora për rëndësinë e investime infrastrukturore për rritjen e numrit të turistëve në vend tha sot se “Lungomare në Vlorë ka rritur vlerën e pasurisë së patundshme të qytetarëve që jetojnë, në shifra që nuk i kishin imagjinuar kurrë”.
Në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime”, një platformë dialogu dhe shkëmbimi idesh me fokus përfshirjen e komuniteteve në vendimmarrje dhe formësimin e së ardhmes Rama theksoi se “e bukura në mjedisin e përbashkët bëhet katalizator i një tërësie ndryshimesh që çon në një transformim që është strukturor”.
Kryeministri Rama tha se “e bukura në mjedisin e përbashkët bëhet katalizator i një tërësie ndryshimesh që çon në një transformim strukturor, sesi në një mjedis ku e bukura ka rrezatim ndryshon raporti i njeriut me tjetrin, ndryshon raporti i njerëzve me rregullat, zbatimi i rregullave bëhet shumë më i thjeshtë, njerëzit bëhen shumë më të predispozuar që ti zbatojnë rregulla, ndryshon raporti i njerëzve me higjienën. Janë shumë më të kujdesshëm njerëzit në raport me pastërtinë. Aty ku mjedisi është i pastër dhe aty ka rrezatim pozitiv të së bukurës, pa diskutim janë shumë më të gatshëm të shpenzojnë, rritet konsumi dhe rritet vlera e pronës”.
“Kur flitet për Lungomaren në aspektin estetik të kënaqësisë që krijon ajo hapësirë, por në fakt përtej asaj që duket në atë zonë kanë ndodhur edhe disa gjëra që nuk duken, gjëja më e rëndësishme është që njerëzit që kanë prona në atë zonë janë më të pasur sot.
ai investim i bërë deri tani në ato hapësira i ka bërë njerëzit më të pasur, pasuri e tyre e patundshme sot është rritur në ato nivele që as nuk mund të imagjinohej kur Lungomare ishte e mbushur me gropa, me baltë me makina të parkuara rrëmujë, me dyqane në kat të parë që ishin vitrinë për shitje, por nuk i blinte askush, ndërkohë që sot është diçka krejt tjetër”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “në lagjen Kume ku deri para pak kohësh duhet të futeshe me çizme, nuk është e largët dita, madje është çështje e pak vitesh, kur ato shtëpi do të jepen me qira për pushuesit, kur ata që banojnë në ato shtëpi gjatë gjithë sezonit të verës do të mund të futen në sistemin e AIRBNB dhe të kenë në shtëpi turistë të huaj”.
Rama tha se nga një anë ajo zonë po del në dritë me një investim që është i konsiderueshëm në raport me nivelin e investimeve që bëhen në një zonë bashkie, por është asgjë në raport me përfitimin që do sjellin.
“Mendoj që kemi shumë arsye për të qenë optimistë për të nesërmen sepse jemi një vend i bekuar dhe më në fund jemi futur në rrugën që këtë bekim ta kthejmë në një avantazh, që ky bekim, me gjithë këto bukuri dhe me gjithë këto pasuri, mos jetë një mollë e ndaluar që kalbet përpara syve tanë, siç ndodhi për shumë e shumë vite, për shumë e shumë dekada e për shumë e shumë arsye. Por duhet shumë durim dhe duhet shumë vendosmëri për të shkuar përpara”, tha Rama.
Duke theksuar rëndësinë e pastërtisë dhe të bukurës, Rama tha se “vlonjatët duhet të kuptojnë që kanë diçka shumë të rëndësishme në dorë, në raport me ekonominë e tyre. Mos hedhin plehrat përtokë, gjithë shqiptarët, patjetër, por them për vlonjatët për shkak se këtu potenciali është i jashtëzakonshëm siç është në Durrës, siç është në gjithë bregdetin dhe për të ndërtuar një turizëm të suksesshëm nuk mjaftojnë shtretërit, nuk mjaftojnë muret e bukura, nuk mjaftojnë rrugët e bëra mirë, nuk mjaftojnë palmat dhe ndriçimi, por duhet kryesori që është: I zoti i vendit dhe i zoti i vendit është banori”.
“Nëse e konceptojmë qytetin si shtëpinë tonë dhe nëse kur dalim nga muret e shtëpisë ndjejmë të njëjtën përgjegjësi ndaj pastërtisë njësoj si brenda murit të shtëpisë, askush nuk i hedh plehrat në kuzhinë, i hedh në kosh dhe i nxjerr jashtë, por çdokush duhet ta kuptojë që kur del jashtë e hedh plehrat përtokë, në atë moment i ka hequr qytetit, nuk di ta bëj me shifra, por me siguri i ka hequr qytetit disa lekë të ardhura. Në atë moment ka përzënë nga qyteti çdonjërin nga turistët që do ta shikojnë atë plehrën që ai ka hedhur përtokë dhe të gjithë së bashku me plehrat e hedhura përtokë kanë kryer gjatë gjithë ditës aktin e përzënies nga qyteti për herën tjetër të të gjithë atyre që i kanë parë ato plehra dhe të cilët, kur kthehen thonë “deti shumë i bukur, rëra shumë e mirë, dielli fantastik, gratë dhe vajzat kryevepër, por burrat për t’i marrë e për të mos i parë më kurrë” sepse kjo është e vërtetë, përveç të tjerave, por le të mos ta themi këtu se kemi dhe komshijtë që janë burra më të mirë se ne”, theksoi Rama.