Pesë peshkatarë në Pogradec janë vënë në hetim pasi janë kapur në liqenin e Ohrit, në Pogradec, duke peshkuar në kundërshtim me ligjin, një sasi peshku (i llojit klen) i cili me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është i ndaluar për t’u peshkuar në këtë periudhë kohore.

Dy prej peshkatarëve kanë kërcënuar edhe inspektorin e peshkimit.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër rast i peshkimit të paligjshëm. Në kuadër të operacionit “Liqeni”, u proceduan penalisht pesë peshkatarë, dy prej të cilëve kanosën për shkak të detyrës, inspektorin e peshkimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Peshkimit, në kuadër të operacionit “Liqeni”, për goditjen e veprimtarisë së peshkimit të ndaluar filluan procedimin penal në ngarkim të shtetasve:

– E. P., 38 vjeç, banues në fshatin Memlisht, Pogradec;

– M. J., 34 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec;

– E. Ll., 49 vjeç, banues në fshatin Hudënisht;

– A. Ll., 55 vjeç, banues në fshatin Hudënisht;

– E. P., 32 vjeç, banues në fshatin Memlisht.

Shtetasit e lartpërmendur, janë kapur në liqenin e Ohrit, në Pogradec, duke peshkuar në kundërshtim me ligjin, një sasi peshku (i llojit klen) i cili me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, është i ndaluar për t’u peshkuar në këtë periudhë kohore. Gjithashtu dy shtetasit E. P. dhe M. J., kanë kanosur për shkak të detyrës, inspektorin e peshkimit O. Ç., 35 vjeç, banues në Pogradec, i cili ishte duke kryer inspektimin e liqenit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje të ndryshme për peshkim dhe një sasi peshku i ndaluar për t’u peshkuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Peshkimi i ndaluar”, kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.