Autoritetet në Kosovë njoftuan të hënën se kanë mbyllur gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, institucion ky që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.

Policia e Kosovës tha se operacioni për mbylljen e njësive të kësaj banke kaloi pa probleme dhe u krye në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë. Me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të të ashtuquajturës Bankës Postare Kursimore ilegale në veri të vendit, janë mbyllur”, thuhet në një njoftim të policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”.

Operacioni nxiti reagimin e ashpër të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç i cili e cilësoi atë një “akt tjetër të dhunshëm i shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe dëbimit të popullit serb”.

Ai tha se “Albin Kurti dëshiron luftë dhe vuajtje për popullin serb, sepse çdo gjë që bën në muajt e fundit, e bën ekskluzivisht për hir të dëbimit të serbëve nga territori i Kosovës”.

Operacioni i së hënës ndodh gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Kjo kishte nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të bisedojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pagesave por pa sukses edhe pas shtatë takimesh.

Diplomatët i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore dhe në cilësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.