Teshtitje, kollitje, rrjedhje hundësh, dhimbje koke apo një kruarje fyti. Gjëja e vetme që këto simptoma kanë të përbashkët është që lidhen drejtpërdrejt me alergjitë sezonale. Kushdo që lufton me këto lloj alergjish e di se kur poleni dhe myku janë të pranishëm në një sasi të përqendruar, ato mund të shkaktojnë të gjitha llojet e shqetësimeve fizike.
Ka medikamente pa recetë dhe madje edhe receta që mjeku juaj mund t’iu rekomandojë për t’i bërë simptomat pak më të durueshme. Megjithatë, nëse ju ndodh që jeni dikush që preferon të përdorë sa më pak ilaçe, ose thjesht po kërkoni një zgjidhje për alergjitë tuaja- a e dini se disa vajra esencialë mund t’ju sjellin gjithashtu një lehtësim të alergjive?
Më poshtë janë disa vajra esencialë që ndihmojnë me alergjitë sezonale.
Vaji i limonit ndihmon në zhdukjen e inflamacionit trupor
Limoni ka përfitime të shumta shëndetësore. Nëse jeni shtatzënë, mund të ndihmojë në lehtësimin e të vjellave të mëngjesit. Nëse jeni në ankth, mund t’ju ndihmojë të qetësoni nervat tuaja. Nëse keni një dhimbje të fytit që lidhet me të ftohtin, vaji i limonit mund t’ju ndihmojë ta qetësoni atë. Madje limoni mund të ndihmojë në trajtimin e akneve dhe në një lëkurë më të pastër.
Ajo që e bën vajin e limonit kaq të jashtëzakonshëm, përsa i përket alergjisë, është fuqia e tij në reduktimin e inflamacionit. Disa studime thonë se ky vaj mund të ulë inflamacionin që ndodh nga alergjitë dhe madje ndihmon në reduktimin e plotë të përgjigjeve alergjike që mund të keni.
Vaji i trumzës ndihmon në qetësimin e kollës
Trumza është një erëz që gjendet edhe si vaj esencial. Edhe pse nuk merr aq vëmendje sa shumë vajra të tjerë, kjo nuk e bën atë më pak të dobishëm. Në fakt konsiderohet se ka veti medicinale që ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut, trajtimin e infeksioneve të majave, ngritjen e humorit dhe ndihmojnë në parandalimin e mundshëm të formave të caktuara të kancerit. Duhet ta provoni trumzën nëse luftoni me alergjitë sezonale, pasi është cilësuar si një ilaç natyral për kollën. Është gjithashtu e mbushur me vitamina A dhe C, së bashku me hekur dhe mangan, për të forcuar sistemin tuaj imunitar dhe për të luftuar lloje të ndryshme bakteresh.
Në fakt, nëse alergjitë tuaja sezonale janë të prirura për të shkaktuar një formë të bronkitit çdo vit, përzierja e trumzës me gjethet e dredhkës mund të sigurojë një lehtësim për fytin dhe përfundimisht të zhdukë kollën tuaj, sipas disa studimeve të publikuara.
Vaji i rozmarinës ka antioksidantë që luftojnë simptomat e lidhura me alergjinë
Nuk mund të gaboni kurrë nëse keni një shishe me vaj esencial rozmarine në kabinetin tuaj të banjës. Nga pikëpamja e shëndetit fizik, ai ndihmon në zvogëlimin e ndjesisë së dhimbjes, përmirësimin e qarkullimit të gjakut, uljen e stresit dhe rritjen e niveleve të energjisë. Nga këndvështrimi i bukurisë, vaji i rozmarinës është i mrekullueshëm sepse, falë antioksidantëve të tij të fuqishëm, ndihmon në forcimin e flokëve dhe ngadalësimin e shenjave të plakjes në lëkurën tuaj.
Ajo që e bën këtë vaj kaq të jashtëzakonshëm për trajtimin e alergjive sezonale është se antioksidantët e tij ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit trupor në një mënyrë të tillë që mund t’i ndalojë simptomat e alergjisë para se ato të fillojnë. Një tjetër gjë e mrekullueshme për vajin e rozmarinës është aftësia e tij për të ulur nivelet e kortizolit, që do të thotë se do të ndiheni më pak të stresuar. Dhe sa më pak të stresuar të ndiheni, aq më e lehtë do të jetë të relaksoheni dhe të merrni pushimin që ju nevojitet për të luftuar alergjitë sezonale.