6 miliard euro janë mbledhur nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve në Varshavë për mbledhjen e fondeve për Ukrainën, e organizuar të enjten. Vendet perëndimore janë angazhuar t’i qëndrojnë pranë Kievit për ringritjen dhe rindërtimin. Ndihmë financiare, armatime dhe përshpejtim të anëtarësimit në BE, ishin këto kërkesat që Presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelenksy i drejtoi kryetarëve të shteteve në Konferencën e Donatorëve që po zhvillohet në Varshavë të Polonisë për Ukrainën.
Zelensky tha se liria duhet të fitojë, ndërsa shtoi se për rindërtimin e Ukrainës pas luftës, duhen investime të shpejta dhe të sigurta. Ai kërkoi po ashtu përshpejtimin e procedurave për anëtarësimin e Ukrainës në BE, që e konsideroi një goditje të fortë për Rusinë.
E pranishme në tryezën e konferencës së Donatorëve, ishte edhe Shqipëria, që dha kontributin e saj me 1 mln euro. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij tha se vendi ynë është ndër të parat vende, i cili i ka ofruar Ukrainës, ndihmë ushtarake si dhe ndihmë për pranimin e refugjatëve. Kemi mbështetje maksimale për Ukrainën, tha kreu i qeverisë, ndërsa uroi që t’i jepet sa më shpejt fund luftës.
“Do të them shumë pak fjalë, duke e nisur nga pozita e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku jemi bashkënismëtarë të rezolutës për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vende të tjera që e mendojnë njësoj. Po japim kontributin tonë për organizimin e takimeve dhe hartimin e dokumenteve lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë të Ukrainës. Nga ana tjetër, në aspektin dypalësh kemi qenë nga të parët që kemi dhënë kontributin tonë me municione për forcat e armatosura të Ukrainës dhe në të njëjtën kohë kemi miratuar të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për të lejuar qytetarët ukrainas që të vijnë në vendin tonë për periudhat kohore për të cilat kanë nevojë ose për të cilët duan të rrinë. Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës e të rindërtimit, por jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës Kryeministrave të Polonisë e të Suedisë që na bënë pjesë të saj. Deri në fund ne do të bëjmë më të mirën për të nderuar detyrimin tonë ndaj miqve tanë Ukrainas dhe popullit ukrainas, duke synuar sigurisht atë çka të gjithë këtu synojnë, që të kemi një fund të kësaj lufte e të shohim paqen të mbërrijë sa më shpejt të jetë e mundur. Faleminderit shumë”, tha Kryeministri Rama.
Kjo konferencë është bashkëorganizuar nga Kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki dhe Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.
Konferenca diskutoi masa konkrete për t’ju përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim. Në përgjigje të rritjes së shpejtë të nevojave, OKB-ja ka ngritur strukturat e posaçme për të hyrë në zonat më të goditura në ndihmë për shpëtimin e jetëve, duke vendosur ekspertë, për koordinimin, angazhimin e komunitetit, mbrojtjen dhe menaxhimin e informacionit. Ndërkohë, që kërkohet më tepër nga komuniteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur intensitetit të këtyre nevojave.
Konferenca ndërkombëtare e donatorëve në Varshavë për mbledhjen e fondeve për Ukrainën, e organizuar të enjten, mblodhi 6 miliardë euro për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta. Lajmin e dha kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki.