Me ftesë të Komisionit Shtetëror për Mbrojtjen e të drejtave në procedurat e prokurimit publik dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Malit të Zi, Kryetari i Komisionit te Prokurimit Publik të Shqipërisë, Jonaid Myzyri mori pjesë në debatin publik mbi propozimet për ndryshimin e ligjit të Prokurimit Publik në Malin e Zi.
Në fokus të këtij takimi ishte krijimi i rrjetit të organeve të shqyrtimit të Prokurimit Ballkan Perëndimor-BE.
Në fjalën e tij, Myzyri tha se ka ardhur koha për krijimin e rrjetit të organeve të shqyrtimit të Prokurimit Ballkan Perëndimor-BE
Gjithashtu Myzyri gjatë fjalës së tij theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë jo vetëm mardhënie fqinjësore të mirë, shkëmbim të rëndësishëm tregtar, ndërveprim të operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, si edhe sfidën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Sigurisht, jashtë sfidave nuk mund të qëndronte edhe prokurimi publik. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë miratuar ligjet e reja për prokurimet publike, në Shqipëri ligjin nr. 162/2020 i cili ka hyrë në fuqi në 31 Mars 2021 dhe në Malin e Zi, ligji nr 073/2019, hyrë në fuqi në vitin 2020”, u shpreh Myzyri.
Sipas kreut të KPP, Jonaid Myzyri referuar raportit të SIGMA- OECD për Mirëqeverisjen dhe Administrimin Publik në të dy shtetet kuadri rregullator i prokurimit është kryesisht i harmonizuar me acquis për prokurimin publik.
“Gjithashtu, Shqipëria dhe Mali i Zi gëzojnë një vlerësim të lartë nga SIGMA-OECD për prokurimin publik dhe vecanërisht për organet e shqyrtimit të ankesave.
Në këtë Raport sistemi i prokurimit publik në Shqipëri, ka marrë vlerësimin maksimal 5/5 për 3 nga 5 indikatorë dhe vlerësmin 3/5 për 2 indikatorët e tjerë.
Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë të prokurimeve publike shumë dimensionale duke vendosur theksin vecanërisht tek transparenca, deklaroi Myzyri.
Fjala e plotë e Jonaid Myzyrit:
Ndjehem shumë i nderuar sot që të jem sot këtu pjesëmarrës me ftesë të Komisionit Shtetëror për Mbrojtjen e të drejtave në procedurat e prokurimit publik dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Malit të Zi.
Ndaj, më lejoni që në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë T’Ju përgëzoj për konsultimin e gjerë publik të ndryshimeve të ligjit të prokurimit publik.
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) është organi më i lartë administrativ në fushën e prokurimeve, që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit publik, koncesionet/ partneritetin publik privat, ankandet publike dhe procedurat konkurruese të dhënies së lejeve minerare. Komisioni i Prokurimit Publik përbëhet nga 5 anëtarë nga të cilët një është Kryetari, të cilët zgjidhen nga Kuvendi për një mandat 5 vjecar me të drejtë rizgjedhje vetëm nje herë.
Prokurimi publik është një nga fushat kryesore të veprimtarisë shtetërore dhe një nga proceset më të rëndë-sishme në menaxhimin e financave publike. Sikundër tregohet edhe nga shifrat dhe të dhënat e përpunuara në këtë kuadër, fondi buxhetor i shpenzuar për prokurime publike në vendet e rajonit për vitin 2020 shkon mesatarisht nga 7.5-14.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kështu, referuar Agjencisë së Prokurimit Publik, në Republikën e Shqipërisë prokurimi publik për vitin 2020 zinte rreth 14.7% të PBB, ndërkohë sipas raportit të Komisionit Europian, në vitin 2020, Prokurimi Publik zë 13.1% të PBB.
Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë jo vetëm mardhënie fqinjësore të mirë, shkëmbim të rëndësishëm tregtar, ndërveprim të operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, si edhe sfidën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sigurisht, jashtë sfidave nuk mund të qëndronte edhe prokurimi publik. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë miratuar ligjet e reja për prokurimet publike, në Shqipëri ligjin nr. 162/2020 i cili ka hyrë në fuqi në 31 Mars 2021 dhe në Malin e Zi, ligji nr 073/2019, hyrë në fuqi në vitin 2020.
Referuar raportit të SIGMA- OECD për Mirëqeverisjen dhe Administrimin Publik në të dy shtetet kuadri rregullator i prokurimit është kryesisht i harmonizuar me acquis për prokurimin publik.
Gjithashtu, Shqipëria dhe Mali i Zi gëzojnë një vlerësim të lartë nga SIGMA-OECD për prokurimin publik dhe vecanërisht për organet e shqyrtimit të ankesave.
Në këtë Raport sistemi i prokurimit publik në Shqipëri, ka marrë vlerësimin maksimal 5/5 për 3 nga 5 indikatorë dhe vlerësmin 3/5 për 2 indikatorët e tjerë.
Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë të prokurimeve publike shumë dimensionale duke vendosur theksin vecanërisht tek transparenca.
Komisioni i Prokurimit Publik së fundmi ka implementuar sistemin e ankesave elektronike shoqëruar me themelimin e një standardi të ri të publikimit të veprimtarisë bazuar në standardin e Open Contracting Data Standard, në bashkëpunim me Open Contracting Partneshrip, NGO e fokusuar në transparencën në prokurime publike.
Është më shumë rëndësi për ne, që të marrim pjesë në këtë tryezë debati publik teknike, ku të dëgjojmë mbi problematikat, të ndajmë sfidat që kemi kaluar, të ndajmë eksperiencën tonë me qëllim mos përsëritjen e të njëjtave gabimeve apo problematikat.
Ne jemi njohur me ndryshimet e propozuara ligjore dhe mendojmë se cdo ndryshim më drejtim të përafrimit me aquis është mëse i rëndësishëm për zhvillimin e sistemit të prokurimit.
Disa prej ndryshimeve të propozuara janë të ngjashme me rregullimet ligjore në Republikën e Shqipërisë, si verifikimi i formularit përmbledhës të vetëdeklarimit, i ngjashëm me ESPD, procedurat e ndjekura nga organet e shqyrtimit të prokurimit dhe kompetencat, të drejtën e tërheqjes nga ankesa dhe procedurën specifike, kompetencat e organit shqyrtues të prokurimit. Vecanërisht, shumë e qënësishme është edhe propozimi për efektin pezullues të ankimit, zbatimi i periudhës së prijtes. Përafrimi i mëtejshëm edhe me dy direktivat e ankesave 89/665 dhe 92/13 është një hap tepër i rëndësishëm në punën e organeve të shqyrtimit të prokurimit dhe mbi të gjitha në efektet e vendimarrjes së organeve.
Ndryshimet në drejtim të përafrimit të kuadrit ligjor me aquis nuk duhen parë kurrësesi si një përmbushje e thjeshtë e detyrave në kuadër të integrimit,por procesi në tërësi në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit, eficencës dhe mirëpërdorimit të fondeve publike.
Kështu, më lejoni Tju përcjell edhe rastin Shqiptar, ku rritja e transparencës e veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik, ka sjellë jo vetëm një qasje të re të informacionit të grupeve të interesuara, por gjithashtu rritjen e shpejtësisë së vendimarrjes, shmangien e ankesave të pa përgjegjshme, rritjen cilësore të ankesave dhe forcimin e qëndrueshmërisë së vendimarrjes së Komisionit.
Nuk duhet të harrojmë që ndër qëllimet kryesore të ligjit të prokurimit publik, krahas rritjes së eficencës dhe mirëpërdorimit të fondeve publike është edhe ai i sigurimit të integritet, besimit publik dhe transparencës në procedurat e prokurimit publik.
Mekanizmi i shqyrtimit të ankesave është një nga shtyllat kryesore të sistemeve të prokurimit publik efikas, efektiv, transparent dhe jo-diskriminues. Prandaj, dhe për shkak të historisë dhe përvojës së ngjashme në praktikën e prokurimit publik dhe kuadrin ligjor midis vendeve, sot është më shumë se kurrë e nevojshme që të formohet një Rrjet i organeve të shqyrtimit të prokurimeve mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE, me qëllim Forcimin e përgjithshëm të kapaciteteve profesionale të organeve shqyrtuese nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të drejtpërdrejtë dhe dialogut të hapur ndërmjet vendeve të rajonit; Rritjen sistemeve të mbrojtjes ligjore dhe rrjedhimisht ruajtja e integritetit të proceseve të prokurimit publik në vendet që formojnë rrjetin si edhe në drejtim të promovimit të dixhitalizimit të mëtejshëm të procedurave të rishikimit duke përdorur praktikat më të mira të vendeve të përfshira në mënyrë që të sigurohet një nivel më i lartë i transparencës së procedurave të rishikimit.
Ndaj, edhe një herë ju falenderoj shumë për pjesëmarrjen, ju përgëzoj për këtë nisëm kaq të rëndësishëm si edhe ju ftoj gjithashtu të merrni pjesë në Konferencën Mbi Sfidat e Sistemit të Prokurimit Publik në Shqipëri, organizuar nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe SIGMA-OECD online ose prezent, ku më shumë informacion mund të merrni edhe në faqen kpp.al, për të mësuar më shumë mbi sfidat e prokurimit publik në Shqipëri si edhe për të ndarë sfidat e përbashkëta rajonale.