Kryeministri Edi Rama iu adresua sot Konferencës së Donatorëve për Ukrainën në sesionin e posaçëm, ku kryetarët e shteteve dhe qeverive u bënë pjesë e mbështetjes për Ukrainës përmes kontributit dhe angazhimit të shteteve përkatëse.
Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro. Ndërkohë Kryeministri Rama theksoi se, deri në fund, Shqipëria do të bëjë më të mirën në mbështetje dhe përkrahje të popullit mik të Ukrainës.

Fjala e Kryeministrit Rama:

Do të them shumë pak fjalë, duke e nisur nga pozita e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku jemi bashkënismëtarë të rezolutës për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vende të tjera që e mendojnë njësoj. Po japim kontributin tonë për organizimin e takimeve dhe hartimin e dokumenteve lidhur me luftën dhe në mbështetje të plotë të Ukrainës.

Nga ana tjetër, në aspektin dypalësh kemi qenë nga të parët që kemi dhënë kontributin tonë me municione për forcat e armatosura të Ukrainës dhe në të njëjtën kohë kemi miratuar të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për të lejuar qytetarët ukrainas që të vijnë në vendin tonë për periudhat kohore për të cilat kanë nevojë ose për të cilët duan të rrinë.
Në këtë konferencë donatorësh Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës e të rindërtimit, por jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë mirënjohës Kryeministrave të Polonisë e të Suedisë që na bënë pjesë të saj.

Deri në fund ne do të bëjmë më të mirën për të nderuar detyrimin tonë ndaj miqve tanë Ukrainas dhe popullit ukrainas, duke synuar sigurisht atë çka të gjithë këtu synojnë, që të kemi një fund të kësaj lufte e të shohim paqen të mbërrijë sa më shpejt të jetë e mundur. Faleminderit shumë!