Kryeministri Edi Rama ka treguar sot se si i lindi ideja e krijimit të paketës për “Fëmijët e Republikës”.
Ai tha se ideja i kishte nisur pasi kishte vizituar familjen e të ndjerit Arjan Sala, i cili humbi jetën mes flakëve duke shpëtuar njerëzit në një qendër tregtare.
“Ideja për ta ndërmarrë këtë nismë, dhe për të ndërmarrë një hap ligjor që mbështetja për fëmijët e heronjve të dëshmorëve të prindërve të vetëmohuar të jetë e plot, njësoj sikur prindi të jetë aty. Jo me ato shumat që jepeshin më parë, që ishin shumë më të vogla se sa paga e prindërve. Por me pagën e plot të prindërve, më ka lindur kur kam vizituar atë ditë familjen e Arjan Salës. Arjani humbi jetën në qendrën tregtare. Ai dha jetën për të shpëtuar kushedi se sa të tjerë, duke qëndruar mes flakëve për të nxjerrë prej aty kolegë të marrë peng nga zjarri në mjediset e punës. Sapo kam dalë prej aty kam kontaktuar menjëherë Ogertën dhe të tjerët dhe kemi nisur punën për të ngritur në mënyrë domethënëse nivelin e mbështetjes financiare dhe për të zgjeruar paketën e trajtimit nga shteti të këtyre fëmijëve. E them këtë sot për të sjellë shembullin konkret se si duke qenë në këtë detyrë ne mësojmë më shumë. Rreziku më i madh që i kanoset çdokujt, por sidomos në qeveri, është që të jetojë me bindjen se i di të gjitha. Janë nxitje që vijnë nga kontakti intensiv me shoqërinë që e çojnë para programin e një qeverie. Ndaj e quajta amanet të heshtur këtë që sot përmbushim, një amanet të dëgjuar pa na u thënë nga të gjithë këta prindër që nuk jetojnë më. Një amanet të thënë pa fjalë nga Arjan Sala, në shtëpinë e tij ku ai mungonte dhe ishte e pranishme nusja e re dhe i ati. Bashkë me familjarët e tjerë. Sot i japim Aronit, djalit 5-vjeçar të Arjan Salës, një mbështetje për të 20 vitet e ardhshme me një mirënjohje të madhe, jo vetëm për gjestin e të atit, por dhe nxitjen që i ati u bë që ne të jemi këtu sot.”, tha Rama.