Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim njoftues shefen e Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, znj.Heleni Vakali. Teksa i dëshiroi mirëseardhje znj. Vakali, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të tyre nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve. Kryeministri Kurti kërkoi që Greqia t’ju bashkohet shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në një komunikatë për media zyra e kryeministrit njofton se në takim, ambasadorja Vakali tha se Greqia edhe pse ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ka arritur të zhvillojë marrëdhënie bilaterale.
“Ambasadorja Vakali tha se është e nderuar për detyrën që ka marrë dhe se Greqia është mike e sinqertë dhe e fuqishme e Kosovës. Edhe pse ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Greqia ka arritur të zhvillojë marrëdhënie bilaterale pa kurrfarë problem, theksoi znj. Vakali. Ajo u shpreh e impresionuar me potencialin e madh që ka Kosova dhe mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunimin bilateral. Ambasadorja e vlerësoi angazhimin e qeverisë për vlera demokratike dhe për rezultatet në luftimin e korrupsionit”, thuhet tutje.
Kryeministri Kurti dhe ambasadorja Vakali u pajtuan që duhet të vazhdojnë projektet e përbashkëta në arsim e kulturë dhe në organizimin e radhës të forumit ekonomik./Express