Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kanë dalë sot në një konferencë të përbashkët në Berlin.

Në fjalën e tij, Kurti tha se Kosova ka kryer detyrat e saj për çështjen liberalizimit të vizave dhe se tani është radha e BE-së ta bëjë të njëjtën.

Ai shtoi se një kërkesë të tillë ia ka bërë edhe kancelarit gjerman gjatë takimit që konkludoi me konferencën.

“Në korrik bëhen 4 vite prej se Komisioni Europian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë dhe ka konstatuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Tash është koha të thuhet se mjaft është mjaft dhe kjo çështje të vendoset për vendimmarrje në Këshillin e BE-së dhe tani është radha që edhe BE ta bëjë të njëjtën”, tha ai.

Ndërkohë, në loidhje me liberalizimin e vizave, Scholz është shprehur se është një çështje shumë e rëndësishme, se dhe shumë shpesh e gjen veten të angazhuar në këtë proces.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit. Për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Europian, në biseda me partnerët; angazhohem me këmbëngulje”, tha ai.

Scholz përmendi edhe bashkëpunimin rajonal duke thënë se me Procesin e Berlinit, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë rajon. Ai përmendi katër marrëveshje të rëndësishme që tha se do të nënshkruhen këtë vit në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Projekti më i rëndësishëm është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal”, tha ai, duke paralajmëruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave profesionale.

Dialogu me Serbinë

Kancelari Scholz ka kërkuar nga kryeministri Kurti konstruktivitet nga ana e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Para gazetarëve, kancelari gjerman tha se kohën e sotme kur po ndodh lufta në Ukrainë, është e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor të zgjidhen problemet.

Ai tha se se tema e njohjes së Kosovës është temë që duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë për të cilën Gjermania jep mbështetje ashtu siç ka bërë prej kohësh.

“Kjo do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkrete që do të arrijnë të dyja vendet dhe janë shumë detaje por natyrisht këtu bën pjesë edhe ajo që ka bërë Gjermania prej kohësh pra është njohja e Kosovës. Këto janë tema për të cilat kërkojnë strategji të shkurtra apo të gjata por të gjitha duhet të bëjnë përparime shpejt shpejt prandaj ne japim mbështetjen tonë në këtë drejtim dhe ofrojmë një kuadër në mënyrë që kjo të arrihet”, tha Scholz.