Mes figurave politike kryesore në vend, më i pëlqyeri mes shqiptarëve është Kryeministri Edi Rama (44,8%). Pas tij, shqiptarët pëlqejnë më shumë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj (36,5%) dhe ish-kryeministrin Sali Berisha (27,2%).
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, sot gëzon pëlqyeshmëri më të lartë (17,5%) mes shqiptarëve krahasuar me ish-kryedemokratin, Lulzim Basha (8,5%). E fundit për nga pëlqyeshmëria mes qytetarëve renditet Monika Kryemadhi (4,5%). Votuesit e Partisë Demokratike në mënyrë dërrmuese (63,2%) kanë mendim pozitiv për ish-kryeministrin Berisha, kurse për ish-kryetarin Basha vetëm 15,4%.
Shqiptarët ndahen në dy kampe thuajse të barabarta lidhur me vendimin e gjykatës që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha. Dy në pesë shqiptarë (44,3%) mendojnë se gjykata u tregua e njëanshme në këtë vendim dhe thuajse aq (40,7%) janë edhe ata që këtë vendim gjykate e shohin si të paanshëm.
Mes votuesve të PD-së mbizotëron (63,2%) mendimi se gjykata është treguar e paanshme me vendimin për njohjen e Kuvendit të 11 dhjetorit. Thuajse gjysma e shqiptarëve (48,9%) mendojnë se grupimi brenda PD-së kundër Berishës duhet ta ndjekë në rrugë gjyqësore vendimin e gjykatës që njohu Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri.
Gjetjet janë të Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MBR dhe Data Centrum në nivel kombëtar në datat 25 Mars – 5 Prill me 1000 intervista ballë për ballë.