Bota po përballet me sfida “të frikshme” përfshirë pandeminë e koronavirusit, luftën në Ukrainë dhe linë e majmunëve, ka thënë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në një konferencë të mbajtur në Gjenevë, ai ka thënë se lia e majmunëve është raportuar në 15 shtete jashtë Afrikës.
“Ne po përballemi me konvergjencë të frikshme të sëmundjeve, thatësisë, urisë, luftës, të nxitura edhe nga ndryshimet klimatike, pabarazia dhe rivaliteti gjeopolitik”, tha shefi i OBSH-së.
Më shumë se 80 raste janë konfirmuar në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi dhe Izrael.
Megjithatë, rreziku për publikun e gjerë vazhdon të jetë i ulët.
Lia e majmunëve, virus shumë i zakonshëm në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore, nuk ka tendenca të përhapjes së lehtë mes njerëzve dhe virusi përcillet me simptoma mesatare.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Britani të Madhe, shumicës së të infektuarve u duhen disa javë për t’u shëruar.
Belgjika është bërë shteti i parë që ka bërë të ditur karantinë prej tri javësh për personat e infektuar.