Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga 1 qershori do të përballen me valë të re të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Në 31 maj skadon masa e Qeverisë e vendosur më 1 mars, me qëllim kufizimin e fitimit për tregtinë me shumicë për 5 për qind, si dhe 10 për qind për tregtinë me pakicë.
Sipas vendimit, që skadon të martën, produktet bazë ushqimore si buka, sheqeri, kripa, mielli, vaji, qumështi dhe produktet e tij, mishi, orizi, vezët, pastat, gruri dhe frutat e perimet shiteshin me fitime të vogla, ndërsa shumë prej tyre edhe pa Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH).
Qeveria ka paralajmëruar se periudha në vazhdim do të jetë e vështirë, pasi bazuar në tregjet botërore pritet rritje e mëtejme e çmimeve të ushqimeve si karburanteve dhe burimeve të energjisë.
Për t’i zbutur pasojat, Qeveria ka paralajmëruar një pako të re ndihme prej rreth 80 milionë eurosh për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.