Bujqësia organike është në fillesat e saj, por vitet e fundit po rritet me shpejtësi në zona të ndryshme të vendit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se janë certifikuar deri më tani mbi 200 biznese organike të përfaqësuara nga ferma bujqësore.

Fermave organike shqiptare që zotërojnë këtë certifikatë u mundësohet eksporti në vende të tjera. Po në mënyrë që këto produkte të eksportohen edhe në BE si organike, ato duhet të përdorin metoda të prodhimit organik të përcaktuara në legjislacionin e BE-së, proces që auditohet nga një certifikues i akredituar nga BE. Produktet duhet të kenë logon organike të BE-së, si dhe logon e standardit.

Ministria e Bujqësisë e ka shpallur bujqësinë organike një sektor me përparësi, duke nxitur në këtë mënyrë integrimin e sektorit të bujqësisë organike shqiptare në bashkësinë ndërkombëtare të Bujqësisë Organike, si dhe rrjetëzimin kombëtar dhe ndërkombëtar. Në Shqipëri, ekzistojnë kushte të përshtatshme klimatike për prodhim produktesh organike gjatë sezoneve të hershme dhe dimërore. Sistemet e tanishme bujqësore dhe blegtorale kryesisht mbështeten në nivele të ulëta inputesh (sisteme jo intensive).

Sa i përket tregtisë, pozicioni gjeografik strategjik i Shqipërisë përbën një avantazh. Nga ana tjetër, kapacitetet e shërbimit këshillimor bujqësor janë riorganizuar për t’u ballafaquar me zbatimin e standardeve për prodhimin organik.

Që nga viti 2008, Ministria e Bujqësisë ofron mbështetje për certifikimin e produkteve bujqësore të kultivuara, të destinuara për tregun e brendshëm dhe të huaj. Ndërsa vend të rëndësishëm mbështetja për këtë sektor do të marrë edhe nga programi IPARDIII.