Administratës Doganore Shqiptare iu dhurua nga zyra e përfaqësimit të HM Revenue & Customs në Amabasadën Britanike, në Tiranë, 17 makineri të numërimit të vlerave monetare (cash).
Gjatë një ceremonie të organizuar me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, falenderoi autoritetet britanike, që nëpërmjet Ambasadës kanë mbështetur ADSH në projekte të ndryshme.
“Një rol kyç për të gjitha organizatat moderne doganore mbetet kalimi i shpejtë i kufirit dhe lehtësimi i tregtisë. Këto pajisje të dhuruara nga dogana britanike do t’i shërbejnë këtij qëllimi në mënyrë më efektive.”, u shpreh në fjalën e tij Gazheli.
Gazheli vlerësoi se ky donacion është një kontribut thelbësor në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës ligjzbatuese të Doganës nga HMCR, me qëllim rritjen e rasteve të sekuestrimeve të parave të padeklaruara, mbi kufirin e parave të gatshme në kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë të Republikës së Shqipërisë. Kjo pajisje mund të përdoret gjithashtu për të përmirësuar kohën e përpunimit të deklarimit të parave të gatshme në kufi, duke lejuar kontrolle të qetë të pasagjerëve.
“Ky donacion bëhet në kohën e duhur, pasi presim një numër rekord turistësh që të vizitojnë vendin, në mënyrë që krahu ligjzbatues i Doganës të jetë gati dhe vigjilent për të ndaluar hyrjen në rastet e shkeljes së ligjit.
Marrëveshja e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut ka hyrë në fuqi rreth një vit më parë me synim shkëmbimin e informacionit dhe asistencën reciproke për çështjet doganore.
“Angazhimi ynë i plotë do të vazhdojë të ofrohet në kuadër të bashkëpunimit të ardhshëm me përfshirjen e kontributit të vyer të MB-së në projekte në të ardhmen, të cilat do të ndihmojnë ndjeshëm në përmbushjen e detyrimeve të sigurisë për të garantuar qarkullimin e ligjshëm të udhëtarëve dhe mallrave në kufijtë tanë në më pak kohë, do të lehtësojnë menaxhimin e kufirit për ta bërë atë më efektiv dhe efikas. Pajisjet dhe trajnimet e duhura janë thelbësore për menaxhimin e kufirit.
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se ndërsa teknologjia dhe pajisjet mund të jenë shtesa të rëndësishme për çdo sistem menaxhimi, ato janë efektive vetëm nëse inkorporohen siç duhet në përpjekjet e planifikuara operacionale për sukses më të madh, u shpreh Gazheli.
Zv. Ambasadorja e UK, në Tiranë, Mia Marzouk, theksoi se ndërveprimi ndërkombëtar është thelbësor në zbulimin e mashtrimeve dhe pastrimin e parave, por sipas saj, bashkëpunimi do të vazhdojë në një mënyrë produktive dhe të frytshme me Dogana Shqiptare.
Oficeri Ndërlidhës i HMRC, Emma Harper, vlerësoi punën e bërë nga ADSH, dhe u shpreh, se krimi nuk njeh kufij dhe për këtë arsye bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor. Këtë vit, HMRC i dhuroi Drejtorisë doganore 17 makina që zbulojnë kartëmonedha mashtruese dhe numërojnë paratë e gatshme, si pjesë e angazhimit dhe përpjekjeve tona për të luftuar pastrimin e parave dhe kontrabandimin e parave të paligjshme.
“HMRC është e angazhuar të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për të ndihmuar në luftimin dhe trajtimin më efektiv të këtij kërcënimi. HMRC do të jetë gjithmonë e interesuar të rrisë aftësitë e Doganës Shqiptare në ndarjen e njohurive, ofrimin e trajnimeve dhe dhurimin e infrastrukturës së përshtatshme për Doganat Shqiptare të shekullit të 21-të për t’i ndihmuar ato të jenë një hap më afër standardeve të BE-së dhe MB-së.” – u shpreh Harper.