Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner ka kërkuar që prej vitit 2023 të marrin fund paketat miliardëshe të ndihmave për ekonominë gjermane. Pra të marrë fund dhënia pa pushim e ndihmave dhe subvencioneve, që nisi kryesisht me pandeminë. Prej vitit të ardhshëm, sipas tij, Gjermania duhet të respektojë frenën e borxhit, që ka në kushtetutën e saj. Frena e borxhit lejon borxhe të reja vjetore deri në 0,35% të PBB të Gjermanisë. Sipas Ministrisë gjermane të Financave, kjo mënyrë veprimi është përgjigjja e duhur ndaj rritjes së dobët ekonomike dhe inflacionit.
Ky është thelbi i një dokumenti strategjik, të prezantuar së fundi (11.05.) nga Ministria Federale e Financave. Të martën (24.05.) pas këshillimeve në Bruksel me ministrat e Financave të BE, Lindneri kërkoi një normalizim të shpejtë të marrjes së borxheve. Ai tha se “nuk kemi nevojë për stimulim të konjukturës” sepse situata është e ndryshme nga pandemia e koronavirusit. Të njëjtin argument Lindneri e paraqiti edhe në dokumentin strategjik të Ministrisë së tij, ku ai tërheq vëmendjen se librat e porosive të shumë sipërmarrjeve gjermane janë të mbushur.
Christian Lindner ka kërkuar politikë të re financiare të Gjermanisë dhe përmbajtje në shpenzime nga BE, shkruan Auron Dodi.
Ky qëndrim ka tërhequr vëmendjen. Ende nuk bëhet fjalë për një vendim të qeverisë gjermane, por për një qëndrim të Ministrisë Federale të Financave, një nga ministritë qendrore në qeverinë gjermane. Kjo ministri drejtohet nga një ministër liberal konservator, Christian Lindneri, i vetmi me profil të djathtë mes dy partive të majta në koalicionin qeveritar gjerman. Dokumenti strategjik, i përmendur më lart, ende duhet të koordinohet me ministritë e tjera, që mbahen nga Socialdemokratët dhe të Gjelbrit. Por fakti që Lindneri e shpalli dokumentin strategjik, flet për tendencën e qeverisë gjerane. Një hap i tillë nuk bëhet pa marrëveshje. Ai nuk i shërben vetëm partisë së tij FDP, e cila, pas 56 vjetësh, po e drejton për herë të parë ministrinë e Financave.
Reagime ndaj synimit të ministrit gjerman të Financave
Në një reagim të parë, shefja e FMN-së Kristalina Georgieva e paralajmëroi qeverinë gjermane që të mos kthehet para kohe në frenën e borxhit. Në rast të rritjes së mëtejshme të çmimeve të energjisë, “do të ishte më e mençur për Gjermaninë që të vazhdojë të mbështesë ekonominë”, deklaroi shefja e FMN për revistën “Der Spiegel “. Një ndërprerje nga Rusia e furnizimeve me gaz mund të sillte pasoja të rëndësishme për Gjermaninë.
Kristalina Georgieva. Lindner ka kërkuar politikë të re financiare të Gjermanisë dhe përmbajtje në shpenzime nga BE, shkruan Auron Dodi.
Në Evropë, deklarata e Lindnerit ka tërhequr vëmendjen, sepse të gjitha shtetet po vuajnë nga inflacioni i lartë. Ministri gjerman i Financave kërkon veprime të shpejta për t’u kthyer në stabilitetin makroekonomik, pikërisht për të luftuar edhe inflacionin. Ai tha në Bruksel se për shkak të inflacionit (në Gjermani ai pritet që këtë vit të jetë mes 7 dhe 8 përqind) kërcënon humbja e fuqisë blerëse dhe më pak investime. Prandaj duhet hequr presioni nga çmimet, duke i dhënë fund politikës së lirshme financiare.
Nga ana tjetër, politika e rreptë financiare nuk u pëlqen shteteve që preferojnë të shpenzojnë para, edhe pa i pasur ato, në vend të reformave në vendet e tyre. Si tendencë këto janë shpesh shtetet jugore të BE.
Mediat franceze p.sh. flasin që tani, për “konfirmim të kthesës për kursime” në Gjermani. Në situatën aktuale, në mediat franceze “shpresohet” që liberali Lindner, pas dy humbjeve të partisë së tij në zgjedhje rajonale, të mos ketë sukses brenda qeverisë gjermane në negociatat për rikthimin tek kursimet.
Francezët në fakt e prisnin me ankth marrjen e ministrisë së Financave nga Lindneri. Ai njihet si person me ide të forta proevropiane, por edhe që bën pjesë në „skifterët” e ekonomisë.
Që në takimin e parë të përbashkët në janar, ministri francez i Financave Bruno Le Maire deklaroi se rritja ka për të përparësi më të madhe se stabiliteti. Lindneri iu përgjigj se të dy takohen te nevoja për rritje ekonomike. Por kërkoi që “zhvillimi afatgjatë i financave publike të jetë i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm”. “Ne duhet të kthehemi te parimi që pasuria duhet të krijohet fillimisht përpara se të shpërndahet”, tha Lindneri pak muaj më vonë (22.03.) në Bundestag.
Bruno Le Maire. Lindner ka kërkuar politikë të re financiare të Gjermanisë dhe përmbajtje në shpenzime nga BE, shkruan Auron Dodi.
Rikthimi te politika e mëparshme e kursimeve – i mundur?
Megjithë frikërat, duken të vogla gjasat që Gjermania të rikthehet tek politika e mëparshme e kursimeve e para pandemisë apo dhe e para luftës në Ukrainë (rikthimi në politikën e rreptë financiare të krizës greke nuk vjen në diskutim.) Përbërja e qeverisë aktuale gjermane është e ndryshme nga e mëparshmja, me socialdemokratët dhe Të Gjelbrit që duan investime, qoftë edhe me borxhe. Deri para luftës në Ukrainë në Gjermani diskutohej madje zbutja e frenës së borxheve në kushtetutën gjermane. Dy fronte të mëdha shpenzimesh, 100 miliardë euro për ushtrinë dhe 60 miliardë euro për kthimin e ekonomisë më miqësore ndaj klimës, janë të qarta që tani. Edhe për disa veçanësi të ekonomive më të dobëta në BE, sot ka kuptim më të mirë në Gjermani.
Kështu që qëndrimi i shpallur nga ministria gjermane e Financave, përsa i përket BE, duhet parë më tepër si vendosje pikete nga Gjermania në diskutimet financiare në Evropë. Ky qëndrim është një përmendje në etjen për borxhe të reja të përbashkëta të BE, të disa shteteve evropiane.
Kjo pasi tani Komisioni Evropian kërkon që pas borxhit të përbashkët evropian për pandeminë, të merret një borxh tjetër i përbashkët evropian për rindërtimin e Ukrainës. Këtë ministri gjerman i Financave e përjashtoi qartë. Ai u tregua megjithatë, në parim, i hapur që pasuri të konfiskuara ruse në Evropë, të përdoren si burim të ardhurash për Ukrainën.
Franca dhe Italia – argumenta të ndryshme për borxhe të reja – edhe të përbashkëta
Ka kohë që Franca dhe Italia kërkojnë reformimin rrënjësor të rregullave fiskale të Bashkimit Evropian, reformimin rrënjësor të rregullave të Maastrihtit.
Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes së BE aktualisht është nxjerrë jashtë fuqie, për shkak të pandemisë. Për shkak të pasojave të luftës në Ukrainë, tani ka kërkesa që ai të qëndrojë më gjatë jashtë fuqie.
Macroni dhe Draghi. Lindner ka kërkuar politikë të re financiare të Gjermanisë dhe përmbajtje në shpenzime nga BE, shkruan Auron Dodi.
Franca dhe Italia kërkojnë që të ndryshohet kufiri i Mastrihtit, që lejon një deficit buxhetor jo më shumë se 3% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe borxh publik jo më shumë se 60% të Produktit të Brendshëm Bruto. Presidenti Macron e kërkon këtë përballë borxhit të madh publik francez: 112% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe deficitit të Francës, 6.5% e PBB. Macroni nuk ka arritur deri tani të bëjë reforma të thella në Francë. Me 160% të PBB, në Itali borxhi publik është edhe më i lartë.
Situata në Gjermani është ndryshe: borxhi publik është 69% e Produktit të Brendshëm Bruto. Ai është i lartë, por shuma është më e menaxhueshme.
Më parë, Franca dhe Italia e kërkonin reformimin e rregullave fiskale për të financuar kthimin e ekonomive nacionale në ekonomi më miqësore ndaj klimës, me New Green Deal, të BE. Tani kërkojnë që kufiri i borxheve të hiqet për të bërë investime në mbrojtje.
Gjermania është e hapur për një përshtatje të rregullave fiskale të Maastrihtit. Por nuk është e gatshme, që prej situatës aktuale të rikonceptohet i gjithë libri i rregullave të BE, u shpreh këtë javë ministri gjerman i Financave. Edhe për ekspertë gjermanë është e qartë se rregullat fiskale aktuale janë joreale dhe duhen përshtatur. Njëkohësisht ata mendojnë se qeveritë kanë nevojë për rregulla detyruese për të reduktuar borxhet.