Pjesëmarrja e nxënësve në mësim në shkollën 9-vjeçare të Rinasit sot ka qenë e paktë për shkak se banorët nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka reaguar ndaj këtij vendimi të prindërve me një status në rrjetin social.
Statusi i plotë i ministres Kushi:
Jam njoftuar sot nga strukturat tona arsimore në shkollën 9-vjeçare “Rexhë Deliu” në Rinas që pjesa më e madhe e prindërve nuk i kanë sjellë sot fëmijët e tyre në mësim.
Të dashur prindër, duke vlerësuar të drejtën për të protestuar të çdo qytetari në një shoqëri demokratike, ju lutem që të mos i privoni fëmijët nga e drejta e tyre themelore për arsimim. Çdo orë mësimi ka vlerë për fëmijët tanë, prandaj duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj kam besim që nesër mësimi do të vijojë normalisht edhe në këtë shkollë.