I vendosur brenda ndërtesë simbol të bankës kryesore të kryeqytetit, selisë së bankës së Shqipërisë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka hapur dyert për publikun në ditën ndërkombëtare të muzeve.
Muzeu i Bankës së Shqipërisë përmban përveç ekspozitës së përhershme të koleksionit numizmatik, historinë e institucionit të Bankës Qendrore të godinës, si dhe materiale edukative për të rinjtë.
Për herë të parë këtë vit në Muzeun e Bankës së Shqipërisë publikohen dokumente origjinale të sjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivës së shtetit që i takojnë periudhës 1913-1924 e që lidhen me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të krijimin e një banke Qendrore në Shqipëri.
Ekspozohen për herë të parë edhe dokumente që lidhen me figurën e Dhimitër Paskos i njohur ndryshe me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli, këshilltar Teknik dhe drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe i Bankës së shtetit shqiptar në vitet 1943-1946.
18 Maji shënon ditën ndërkombëtare të muzeve. Muzeu i Bankës së Shqipërisë do të jetë i hapur për publikun deri në orën 20:00.