Të gjithë operatorët ekonomikë që kanë një kontratë publike të lidhur me institucionet në vend do të kompensohen deri në 30% për çmimet e rritura të hekurit, çimentos, bitumit dhe tubave plastikë. Akti normativ i publikuar në fletoren zyrtare do jetë në fuqi deri në përfundim të situatës së krijuar në treg, ndërsa përfitues janë subjektet kanë lidhur kontrata publike pas 1 janarit 2020

Ka hyrë në fuqi akti normativ që i hap rrugën kompensimit të ndërtuesve që kanë një kontratë publike për çmimet e rritura gjatë këtij viti të materialeve të ndërtimit si hekur, çimento, bitum, tuba plastikë, alumin, bakër dhe zink.

Sipas qeverisë ky akt normativ është marrë për të mbështetur investimet publike dhe procesin e rindërtimit, në kushtet e vështira të krijuara me çmimet në treg.
Nga ky vendim bëhet kompensimi i të gjitha kontratave publike të financuara me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit apo të enteve të tjera publike të cilat kanë një kontratë në proces zbatimi që nga data 1 janar 2020 dhe që preken nga rritja e çmimit të hekurit, çimentos, bitumit dhe tubave plastikë, për punë të kryera pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ.