Ndihmës-sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën dhe CIS, Mirjana Špoljarić Egger, përfundon vizitën e saj në Shqipëri.
Znj. Špoljarić Egger rikonfirmon angazhimin e UNDP-së për të kontribuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm njerëzor të Shqipërisë dhe anëtarësimit të vendit në BE.
Gjatë vizitës së saj dyditore në Shqipëri, Ndihmës-sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Mirjana Špoljarić Egger, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama për të diskutuar, mes te tjerash punën e UNDP-së në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare për rindërtim dhe rimëkëmbje, për prioritetet e vendit për zhvillim dhe procesin e anëtarësimit në BE.
Znj. Špoljarić Egger u takua edhe me Ministren e Financës dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj. Të dyja e vunë theksin te partneriteti ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe UNDP-së për të hartuar një Strategji Kombëtare lidhur me mobilizimin e fondeve për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) , si edhe tek ndihma strategjike e ofruar nga UNDP në sektorin e zhvillimit të aftësive, në partneritet dhe me financime të Qeverisë së Zvicrës.
Në takimin me partnerët ndërkombëtarë për zhvillim të UNDP-së në Shqipëri, znj. Špoljarić Egger u përcolli mirënjohjen e saj për angazhimin e tyre të përbashkët për zhvillimin në Shqipëri. Diskutimet u përqendruan te mënyrat e forcimit të bashkëpunimit dhe te rëndësia e partneriteteve të shumëllojshme dhe me bazë të gjerë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në vend.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë, Drejtoresha Rajonale e UNDP-së pa me sytë e saj ndikimin për zhvillim të organizatës në terren dhe pati mundësinë të ndërvepronte me partnerët në nivel vendor.
Së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi dhe me Shefin e Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Hubert Perr, znj. Špoljarić Egger inauguroi shkollën “Gjergj Kastrioti” në Bilaj, Bashkia Krujë. Kjo shkollë është një prej më shumë se 60 institucioneve arsimore që po rindërtohen apo riparohen në kontekstin e Programit “BE për Shkollat”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNDP. Të gjitha godinat po rindërtohen ose rehabilitohen sipas standardeve më të larta evropiane përmes kombinimit të qasjeve “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”.
Znj. Špoljarić Egger gjithashtu vizitoi kantierin e ndërtimit të shkollës dhe kopshtit “Iliria” në të njëjtën bashki, ku UNDP me financime të Qeverisë Kroate, po rindërton godinat e shkollës dhe të kopshtit, të cilat u shkatërruan nga tërmeti i vitit 2019. Në nisje të vitit të ri akademik vitin e ardhshëm, 156 nxënës dhe 14 anëtarë të stafit mësimdhënës do të kthehen në këtë shkollë.
Znj. Špoljarić Egger vizitoi edhe bizneset e vogla të mbështetura nga UNDP përmes metodologjisë së saj “In Motion” të testuar ndërkombëtarisht, e cila u vjen në ndihmë bizneseve të vogla të prekura prej tërmetit të nëntorit 2019 për të rijetësuar veprimtaritë e tyre ekonomike. Bizneset pjesëmarrëse kanë raportuar një rritje të fitimeve të tyre që prej asaj kohe. UNDP e zgjeroi mbështetjen e saj për të përfshirë më tepër biznese nga bashki të tjera të prekura prej tërmetit, përmes Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe Qëndrueshmëri të financuar nga Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Hollandës.
Znj. Špoljarić Egger kreu një vizitë edhe në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, një prej Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë, ku me financime të GEF, UNDP mbështet Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për të përmirësuar menaxhimin e Parkut Kombëtar dhe për të rritur të ardhurat e gjeneruara nga aktivitetet ekonomike dhe ekoturistike. Ky Park është vendi ku gjendet edhe Qendra e Rehabilitimit të Shpendëve të Egër, e vetmja në vend dhe e para në Ballkan, ku qëndrojnë dhe trajtohen shpendët e lënduar nga Shqipëria dhe vendet fqinje. UNDP monitoron edhe vendfolezimet e kolonisë së Pelikanit Dalmat për qëllime studimore.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Ndihmës-Sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vizitoi Amfiteatrin Antik Romak të Durrësit dhe site të tjera arkeologjike e shoqëruar nga dy të rinj, të cilët kanë qenë pjesë e projektit “Youth Guide for Durrës” i mbështetur nga Programi Rajonal për Demokracinë Vendore (ReLOaD) me financim të Bashkimit Evropian dhe zbatuar nga UNDP në Shqipëri. Faza e dytë e Programit vijon ta vendosë theksin në promovimin e angazhimit të të rinjve, fuqizimit dhe pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrjen vendore.
“Vitin e shkuar UNDP kremtoi 30 vjetorin e pranisë së saj në Shqipëri, ku përgjatë këtyre viteve ne kemi ecur krah për krah me vendin dhe qytetarët e tij gjatë tranzicionit drejt demokracisë, institucioneve të forta dhe komuniteteve të qëndrueshme. Ne i garantojmë partnerët tanë se UNDP do të vijojë të ofrojë mbështetjen e saj në këto kohëra kritike për zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor,” u shpreh znj. Špoljarić Egger.