Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në bashkëbisedim me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe ato të Universitetit të Tiranës ka folur për ngritjen e Këshillave Vendor Lokal në çdo bashki të vendit.
Këshilli Vendor i Rinisë është parashikuar në nenin 10 të ligjit “Për rininë”, si një organ këshillimor i cili funksionon pranë kryetarit të bashkisë, që synon përfshirjen e të rinjve në politikëbërjen e nivelit lokal dhe në promovimin e potencialit të tyre.
Këshilli Vendor i Rinisë është parashikuar në nenin 10 të ligjit “Për rininë”, si një organ këshillimor i cili funksionon pranë kryetarit të bashkisë, që synon përfshirjen e të rinjve në politikëbërjen e nivelit lokal dhe në promovimin e potencialit të tyre.
“Ne duam që zëri i të rinjve të jetë në kryeradhë në çdo nivel qeverisjeje ndaj po punojmë për ngritjen e Këshillave Vendor Rinor në çdo bashki të vendit, duke ndërlidhur si qeverisjen qendrore dhe atë lokale drejtpërdrejtë me të rinjtë”, tha ministrja e Rinisë.
“Të rinjtë mund të jenë hartuesit, zbatuesit dhe njëkohësisht monitoruesit më të mirë në çdo politikë që ndërmarrim për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe me plot mundësi, nëpërmjet promovimit të praktikave demokratike”, u shpreh ministrja drejtuar studentëve.
Ndër të tjera, ajo ka inkurajuar të rinjtë e qyteteve të ndryshme, të bëhen pjesë e politikave dhe proceseve vendimmarrëse në çdo nivel qeverisës.
“Angazhimi juaj në grupe formale apo joformale rinore, përfshirja në strukturat e qëndrueshme si Këshillat Vendor Rinor dhe Këshilli Kombëtar Rinor, do të fuqizojë akoma më tepër rolin e të rinjve në politikëbërje”, ka përmbyllur Muzhaqi.
Si një mjet efektiv për pjesëmarrje, Këshilli Vendor Rinor iu ofron të rinjve mundësi të jenë iniciatorë e monitorues në proceset e hartimit të politikave për të rinjtë, si dhe të kenë një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së tyre në mjedisin ku ata jetojnë.