Në kuadër të Javës së Evropës, “VIZart Tirana International Watercolor Festival”, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar çeli dje edicionin e IV të festivalit bashkëkohor të artit pamor. Festivali këtë vit ka dy ekspozita, një në Muzeun Historik Kombëtar dhe një në Galerinë e Artit ne Tiranë.

Në ceremoninë e këtij aktiviteti ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, piktorja Ormira Lulani, presidente e “VIZart Cultural Organization”, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, Themeluesi dhe Presidenti i IëS Globe Art NetWork, z. Atanur Dogan, të cilët përshëndetën aktivitetin duke theksuar vlerat dhe rëndësinë që mbart në bashkimin e kufijve, kulturave, moshave dhe gjinive.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se një qytet si Tirana duhet të mbështesë jo vetëm njerëzit në nevojë, por të ofrojë edhe art për qytetarët e saj. “Ne kujdesemi edhe për shtresat në nevojë, edhe për banesat sociale, edhe për mensat, për ata që janë në situatë rruge, edhe për të gjithë nevojat e komunitetit, por pyetja është: njerëzit jetojnë vetëm me bukë? Apo jetojnë edhe me art, me kulturë, me pikturë, me libra, me opera, baleti dhe teatro? Kjo është arsyeja përse ne besojmë që një qytet i mirë, duhet t’i bëjë të dyja. Duhet të jetë një qytet që për ata që kanë nevojë ushqen stomakun, ama për të gjithë nevojtarët që kanë nevojë të ushqejnë shpirtin, ofron edhe atë lloj gjelle”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se “VIZart Tirana International Watercolor Festival” është një mundësi fantastike për kryeqytetin dhe për të rinjtë që do të kenë mundësi të shfaqin veprat e tyre, krahas piktorëve më me eksperiencë. Veliaj theksoi se mbushja e Tiranës me kaq shumë aktivitete kulturore është dhe fytyra e Shqipërisë moderne. “Unë besoj se ideja e kësaj bienaleje për të çiftuar ata që janë me më shumë përvojë nga e gjithë bota, me dikë që është i ri dhe sapo ia ka nisur kësaj karriere më këtë pasion, është fantastike. Besoj se i shkon Tiranës si Kryeqytet Europian i Rinisë. Fakti që Tirana është mbushur me aktivitete, tregojmë një imazh tjetër të Shqipërisë sonë, të Tiranës sonë, që sigurisht do duhet të rikuperojë imazhin e ’97-’98, për të cilën asnjë prej të rinjve sot s’ka faj. Unë besoj se kjo është fytyra e Shqipërisë moderne, e Shqipërisë së re që ne na duhet të tregojmë”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë siguroi se Galeria e Artit në Tiranë do të jetë një derë e hapur për të mbështetur artistët e rinj për të shfaqur talentin e tyre. “Nuk ka nevojë të kesh shumë buxhet, nuk ka nevojë të kesh shumë hapësira, Galeria e Artit të Tiranës i ka dhënë mundësi thuajse çdo 2 javë një artisti që të shprehet”, deklaroi Veliaj.

Çmimi “MASTER AWARD” iu dha mjeshtrit të akuarelit Stanislaë Zolaz nga Suedia dhe Silvia Monge nga Kosta Rika. Ndërsa Krasi Todorov nga Bullgaria u vlerësua me çmimin “Best Portret Artist”. Najsa Dishnica nga Italia u vlerësua me çmimin “BEST YOUNGE ARTIST”. Fituesit e Çmimit Ndërkombëtar “Ismail Lulani” janë Zake Prelvukaj nga Kosova dhe Pjerin Kolnikaj e Mikel Temo nga Shqipëria. VIZartdhe IwS Albania vendosën t’i japin “ÇMIMIN E NDERIT” ekipit të artistëve ukrainas pjesëmarrës në event.

Gjatë ditëve në vijim do vazhdohet me demostrimet live të artistëve ndërkombëtare në Liceun “Jordan Misja” të Tiranës dhe Universitetin e Arteve, ku artistë ndërkombëtare dhe studentë do pikturojnë së bashku. Ky festival arti do të vazhdojë për disa ditë radhazi për vizitorët vendas dhe të huaj, si një mundësi e jashtëzakonshme për t’u angazhuar me artin dhe kulturën dhe do të qëndrojë i hapur për t’u vizituar deri në datën 14 maj.