Ndërsa lufta kriminale e presidentit rus Vladimir Putin po i afrohet fazës së saj më vendimtare, Ukraina, partnerët dhe aleatët e saj globalë duhet të përballen me 5 sfida të rëndësishme. Disa janë afatshkurtra, ndërsa të tjerat do të kenë pasoja për breza me radhë.
Por që të pesta janë shumë të nevojshme për ta transformuar kërcënimin autoritar vrastar të Putinit në një mundësi historike për botën e qytetëruar, me synim garantimin e një të ardhmeje më të mirë. Së pari a do të munden miqtë e Ukrainës – sidomos ata në Evropë dhe Amerikën e Veriut – jo vetëm të ruajnë, por edhe të forcojnë unitetin dhe solidaritetin e tyre përballë brutalitetit në rritje të Vladimir Putinit?
Së dyti, me rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe inflacionit, a do të mund të shmanget lodhja e pashmangshme midis demokracive, për të ruajtur fokusin tek ajo që duket si një kërcënim i largët?
A do të vazhdojnë vendet perëndimore që t’i ofrojnë Kievit aftësi më të mëdha ushtarake pavarësisht kërcënimeve të Moskës për përshkallëzimin e konfliktit (duke përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore)? Dhe a do të mundet trupat ukrainase jo vetëm të mbajnë, por edhe të rimarrin territorin e pushtuar nga trupat ruse?
Së treti, a do të mundet NATO të kapërcejë kundërshtimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan – dhe potencialisht atë të të tjerëve – ndaj aplikimit të Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në aleancë? A do të mundet t’i sigurojë NATO Finlandës dhe Suedisë mbrojtje derisa ato të jenë anëtare të plota të aleancës, dhe të përshpejtojë procesin e anëtarësimit? A do të arrijë Senati i SHBA-së të ratifikojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO përpara pushimit të verës?
Së katërti, a do të mundet Ukraina dhe miqtë e saj të bëjnë më shumë për të krijuar narrativën faktikisht të saktë, sipas së cilës Putini është i vetmi përgjegjës për këtë luftë të paramenduar dhe të paprovokuar? A mund të arrijnë ata ta përçojnë mesazhin deri tek populli rus, në mënyrë që ky i fundit të kuptojnë më mirë se presidenti i tyre nisi një luftë në emër të tyre, por që në fakt nuk është në interesin e tyre?
Së pesti dhe e fundit, a do të munden Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e tyre që ta mposhtin Putin në mënyrë strategjike, duke ia dobësuar mjaftueshëm aftësitë ushtarake Rusisë, në mënyrë që Moska të mos jetë në gjendje të vazhdojë luftën apo të përsërisë diçka të ngjashme diku tjetër? A do të munden NATO dhe partnerët e saj globalë të forcohen mjaftueshëm, në mënyrë që të parandalojnë në mënyrë më efektive këtë lloj kërcënimi në të ardhmen?
Kjo është një listë e gjatë, dhe këto që parashtrova janë vetëm fillimi. Tek e fundit, qëndrueshmëria, shkathtësia, patriotizmi dhe trimëria e paparashikuar e ukrainasve i kanë ofruar botës së lirë mundësinë jo vetëm për ta shpëtuar Ukrainën, por edhe për t’i dhënë fund hapave prapa të demokracisë në shumë vende dhe ringjalljes së autoritarizmit.
Në rast se bota demokratike dëshiron realisht të shmangë ligjin e xhunglës që zëvendëson sundimin e ligjit, koha për të vepruar është tani. Nga ana tjetër do të jetë po aq e rëndësishme që në vitet ardhshme komuniteti transatlantik të përqafojë Rusinë dhe rusët si pjesë e ëndrrës së presidentit amerikan George H.W Bush për një Evropë “të plotë dhe të lirë”.
Politikë-bërësit duhet të mendojnë që tani sesi ta bëjnë këtë. Ndërkohë, aleatët dhe miqtë e Ukrainës duhet të ndëshkojnë obsesionin revanshist të Putinit për të rivendosur konceptin e rremë të “Rusisë së lashtë” nëpërmjet çdo mjeti të nevojshëm.
Java e kaluar pati disa zhvillime pozitive në drejtimin e duhur. Finlanda dhe Suedia kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në NATO; Britania e Madhe forcoi sanksionet rreth familjes së tij dhe të dashurës së Putinit; trupat ruse u tërhoqën nga Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës; trupat ukrainase kanë nisur një kundërofensivë drejt qytetit
lindor Izyum, duke synuar goditjen e linjave ruse të furnizimit në rajonin Donbasit. Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin njoftuan së bashku se vendi i tyre do të aplikonte për anëtarësim në aleancë. “Kjo është një ditë historike. Tani nis një epokë e re”- tha Niinisto. Edhe Suedia do të bëjë të njëjtën gjë.
Atyre që mendojnë ende në mënyrë të gabuar se anëtarësimi në NATO e destabilizon dhe nuk siguron një Evropë më paqësore, unë i këshilloj të bisedojnë me zyrtarët në këto dy vende, të cilët kanë parë se 3 vendet baltike të NATO-s mbeten të sigurt ndërsa Rusia sulmoi Ukrainën, një vend jo anëtar i NATO-s.
Erdogan përfaqëson deri më sot opozitën më të fortë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës, sidomos për shkak të pretendimeve nga Ankaraja se Suedia ka strehuar për një kohë të gjatë terroristët kurdë. Megjithatë, gjuha e tij sugjeron se kundërshtimi i tij është më shumë një dredhi negociuese sesa një qasje e panegocueshme.
“Për momentin, ne po ndjekim zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi një pikëpamje pozitive”- tha ai. Lufta e Putinit ka dështuar jo vetëm që të pushtojë Ukrainën, por ka nxitur ndërkohë ndryshime globale që shkojnë shumë përtej Finlandës dhe Suedisë.
Pasi mori çmimin për udhëheqjen e spikatur nga “Atlantic Council” më 11 maj, kryeministri italian Mario Draghi tha se pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar “një ndryshim paradigmatik në gjeopolitikë”. “Ai ka forcuar lidhjet midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e ka izoluar Moskën, dhe ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi Kinën.
Këto ndryshime janë ende në vazhdim, por një gjë është e sigurt: ata do të jenë këtu për një kohë shumë të gjatë”- theksoi ai. Draghi shtoi se ne duhet të vazhdojmë të mbështesim ukrainasit pasi ata luftojnë për lirinë e tyre por edhe për sigurinë e të gjithëve.
“Duhet të ketë paqe, por do te jenë ukrainasit ata që do të vendosin kushtet e kësaj paqeje, dhe askush tjetër. Lufta në Ukrainë ka potencialin ta bashkojë akoma më shumë Bashkimin Evropian. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për emergjencën që kemi përballë, për madhësinë e sfidës. Kjo është ora e Evropës dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë. Zgjedhjet me të cilat përballen sot evropianët janë shumë të thjeshta. Ne mund të jemi zotër të fatit tonë ose skllevër të vendimeve të të tjerëve”- deklaroi kryeministri italian.
Ajo çka e bën Draghin optimist, është se Evropa nuk po e trajton këtë sfidë e vetme. Ajo është e ndihmuar nga “lidhja e përjetshme” e marrëdhënieve transatlantike. Tani testi është nëse uniteti dhe momenti aktual i miqve të Ukrainës mund t’i rezistojnë brutalitetit në rritje të Putinit dhe lodhjes së tyre. /abcnews.al